Meta takon ambasadorin e ri të OSBE në Tiranë, diskutohet reforma zgjedhore

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti sot në takim ambasadorin e ri të OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt. Meta e uroi diplomatin Borchardt për detyrën e re dhe vlerësoi bashkëpunimin e OSBE me Kuvendin.

Në takim u diskutua rreth marrëdhënieve të dy institucioneve dhe ndikimin në rritjen e standardeve të transparencës së aktivitetit të parlamentit shqiptar. Kryeparlamentari Meta nënvizoi rëndësinë reformës elektorale të realizuar së bashku me OSBE, që garanton transparencë maksimale të procesit zgjedhor, pasi standardet e zgjedhjeve të ardhshme do të përcaktojnë jo vetëm legjitimitetin dhe integritetin e institucioneve të reja, por edhe të ardhmen e Shqipërisë në BE.

Ndërsa ambasadori Borchardt shprehu kënaqësinë e rikthimit në krye të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri dhe gatishmërinë për të thelluar më tej bashkëpunimin me Kuvendin.

Më herët diplomati gjerman ka mbajtur postin e shefit të zyrës së EULEX-it në Kosovë. Ai rikthehet në Shqipëri pas gjashtë vitesh, pasi më parë ka drejtuar misionin diplomatik të Republikës Federale Gjermane në Tiranë, në vitet 2007-2010.

Pin It