Presidenti Meta takon krerët e komuniteteve fetare

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, mori pjesë në takimin e organizuar nga Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, me krerët e komuniteteve fetare në Shqipëri, ku u diskutua mbi situatën e pas tërmetit të 26 nëntorit dhe pasojat jo vetëm materiale, por dhe shpirtërore të qytetarëve në zonat e prekura nga kjo fatkeqësi natyrore.

Kryetari Spahiu, gjatë takimit tha se Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është sensibilizuar menjëherë pas tërmetit në koordinim me Myftinitë, Universitetin Bedër, Medresetë dhe organet e tjera shtetërore për t’ju ardhur në ndihmë familjeve të prekura nga tërmeti.

Gjithashtu KMSH me anë të strukturave të tij ka organizuar programe këshilluese psikologjike, është angazhuar në shpërndarjen e ndihmave, ka shërbyer në mënyrë vullnetare në terren, ka bërë thirrje për ndihma monetare në të gjithë xhamitë e vendit dhe ka bashkëpunuar me bashkësitë fetare Islame të rajonit, diasporës e më gjerë.

Presidenti Meta, i falënderoi krerët e bashkësive fetare për reagimin e tyre të menjëhershëm, duke u gjendur pranë njerëzve në këto momente të vështira dhe vlerësoi mbështetjen e tyre të pazëvendësueshme materiale, shpirtërore, morale dhe psikologjike.

“Roli juaj për rimëkëmbjen shpirtërore, rikthimin e shpresës, forcimin e solidaritetit e kurajës në kapërcimin e momenteve më të vështira që ka kaluar dhe kalon populli ynë është shumë i vyer”, – nënvizoi Presidenti Meta.

Kryetari i KMSH-së, z. Spahiu, e falënderoi Presidentin Meta për ftesën dhe vlerësoi angazhimin e tij në stimulimin e bashkëpunimit të institucioneve të ndryshme në përmirësimin e kësaj situate dhe rolin e tij unifikues.

Pin It