Gjykata Kushtetuese vendosi të lërë në fuqi ligjin e Vettingut të vlerësuar përfundimisht pas procesit të verifikimit si në përputhje me Kushtetutën. Kështu nga kjo e mërkurë të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e vendit si një pjesë e konsiderueshme e administratës në sistemin e drejtësisë do i nënshtrohen rivlerësimit të pasurive dhe figurës.
Më 22 nëntor trupa Kushtetuese mori në shqyrtim padinë e Partisë Demokratike për shpalljen antikushtetues të këtij ligji, por kjo gjykata e pezulloi provizorisht ndërsa pas dy muaj tashmë ky ligj është në fuqi duke rrëzuar padinë e PDs. Në argumentin 85 të gjykatës Kushtetuese sqarohet se opozita ka pasur të gjitha mundësitë për të qenë e pranishme, kur është votuar ky ligj, por ajo vetë ka zgjedhur të mos jetë e pranishme, por kjo nuk cënon ligjshmërinë e Vettingut pasi ai është miratuar konformë procedurave parlamentare. Ndalur tek argumenti 69 Kushtetuesja shprehet se afati 3 mujorë për këdo gjyqtar që vendos të dorëhiqet pa ju nënshtruar Vettingut është një afat i mjaftueshëm dhe ligjor.
Për gjyqtarët Kushtetues në argumentin 58 të tyre, ky ligj ka një qëllim të qartë që është përcaktimi se kush prokuror e gjyqtarë mund të vazhdojnë detyrën dhe atyre që nuk plotësojnë kriteret për të qenë pjesë e sistemit. Në argumentin 41 kushtetuesja ka rrëzuar pretendimet e Partisë Demokratike duke hedhur poshtë arsyetimin se organet ekzistuese zëvendësojnë organet e reja që do të krijohen. Një tjetër pikë ku është ndalur gjykata Kushtetuese është dhe përfshirja e shkollës së magjistraturës në procesin e rivlerësimit të prokurorëve e gjyqtarëve, ku sipas gjyqtarëve kushtetuese kjo është një gjë krejt normale për aq kohë sa kjo shkollë është përgjegjëse për formimin profesional të gjyqtarëve e prokurorëve.
Në argumentin 28 dhe 29 kushtetuesja sqaron se kontrolli i deklaratave nga ILDKPI që kryen edhe sot është krejt ligjorë por përzgjedhja e kreut të këtij institucioni nga një proces publik dhe transparent do të përbënte një mjet ligjorë për pavarësinë e këtij institucioni. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji të parët që do ti nënshtrohen Vettingun janë 32 garuesit prokurorë e gjyqtarë për garën e hapur në përzgjedhjen e 12 anëtarëve në këshillin e lartë gjyqësorë e këshillin e lartë të prokurorisë. Hyrja në fuqi e këtij ligji i hap rrugën dhe depozitimit të deklaratave për rivlerësimin e pasurisë dhe figurës morale e profesionale pranë ILDKPI, proces ky që duhet të kish përfunduar më 7 nëntor 2016 por u pezullua së bashku me ligjin e Vettingut.