Jo-ja e bukur e Rosa Parks, jehon edhe sot

article-2734913-20d371bc00000578-46_306x423
“Mos ki frikë nesë e di se ajo që po bën është e duhura” Rosa Parks
Rosa Parks ishte vetëm 32 vjeçe në tetorin e vitit 1955. Sapo kishte mbyllur punën si rrobaqepëse dhe po priste autobusin për t’u kthyer në shtëpi. Teksa ndiente erën e ftohtë të dimrit dhe priste që autobusi të vinte, ajo sillte në mendje atë imazh të trishtueshëm se si trajtoheshin njerëzit me ngjyrë në SHBA. Të zinjtë duhet të ngriheshin nga ulëset dhe t’u lironin vendin të bardhëve. Ligjet amerikane të asaj periudhe ua ndalonin zezakëve të rrinin ulur nëse një i bardhë ishte në këmbë.
Të gjitha këto shenja të racizmit e lëndonin gruan që paraditeve qepte fustane plot stil për gratë e bardha. Kur autobusi qëndroi më në fund te stacioni ku priste Rosa, ajo ngjiti shkallët me nxitim, sakaq në mendje kishte marrë një vendim, i cili do të ndryshojë jetën e saj dhe të zezakëve. Ajo hodhi sytë sa majtas djathtas dhe me të pikasur një ndenjëse bosh, vajti dhe u ul. Kur në autobus u ngjitën pasagjerët e stacionit tjetër, ndenjëset ishin të gjitha të zëna. Me qetësi, një burrë i bardhë u drejtua drejt ndenjëses ku qëndronte Rosa dhe kur arriti, priti që zonja të ngrihej dhe t’i lironte vendin. Por, si për çudi, ajo i hodhi një shikim moskokëçarës dhe vazhdoi të shohë rrugën.
Ky reagim i saj e acaroi burrin e bardhë dhe jo vetëm. Të gjithë të bardhët në autobus filluan ta shajnë Rosën dhe ta kërcënojnë nëse nuk ngrihet menjëherë nga ndenjësja që të ulet burri i bardhë. Por ajo kundërshtoi dhe insistoi në të sajën. Shoferi i autobusit nuk kishte zgjidhje tjetër përveçse t’i drejtohet rajonit të policisë për këtë shkelje të ligjit. Siç edhe pritej, Rosa u gjobit 15 dollarë për shkeljen e të drejtave të tjetrit. Por ky veprim do të kthehej në një himn të një fushate që do të vazhdonte gjatë për të drejtat e njeriut në SHBA. Njerëzit me ngjyrë kërkuan më shumë dinjitet. “Jo”-ja e saj atë natë do të kthehej në një jo të lirisë për mijëra zezakë në të gjithë SHBA-në. Dita kur ajo u arrestua më 1 dhjetor, vazhdon të quhet “Dita e Rosa Parks”.  Brenda një viti çështja shkoi në Gjykatën e Lartë të SHBA-së e cila e deklaroi jo kushtetuese çdo formë diskriminimi racial. E lindur më 4 shkurt 1913, aktivistja afrikano amerikane për të drejtat civile Rosa Parks u nda nga jeta më 24 tetor 2005. Sot është dita për ta kujtuar gruan e cila u bë simboli i lëvizjes për mbrojtjen e të drejtave civile. Ajo u bë një ikonë ndërkombëtare e rezistencës kundër diskriminimit. Kongresi amerikan e quajti “Zonja e parë e të drejtave civile” dhe “nëna e lëvizjes së lirë” 1 Dhjetori në Kaliforni, Ohajo, Oregon, dhe Misouri festohet si dita e Rosa Parks.
Pin It