John Kerry në Tiranë, policia merr masa të forta sigurie

policia-para-kryeministrise

Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry do të vijë në Tiranë, ditën e dielë. Vizita e tij 3 orëshe pritet të shoqërohet me masa të forta sigurie. Që pas uljes së avionit të tij në Aeroportin e Rinasit rreth orës 9 të mëngjesit, ku do të pritet nga kreu i shtetit Bujar Nishani, disa nga rrugët kryesore të kryeqytetit do të bllokohen deri në përfundimin e vizitës.

Policia e Tiranës mësohet se ka marrë masa shtesë të një niveli maksimal, për të garantuar mbarëvajtjen e vizitës së zyrtarit të lartë amerikan. Duke nisur që nga Qafë-Kashari, në vijim, pjesa e autostradës Tiranë-Durres, segmenti i Laprakës, Rruga e Durrësit dhe Bulevardi Dëshmorët e Kombit do të bllokohen plotësisht si për mjetet ashtu edhe për këmbësorët.

Po në keto akse nuk do te lejohet parkimi i makinave, ndërsa burime nga policia bëjnë me dije se do të devijohet trafiku edhe për mjetet e transportit publik. Po ashtu të gjitha rrugët do të patrullohen në të dyja krahët nga qindra efektivë të Policisë së Tiranës dhe Gardës së Republikës.

Pin It