KLSH kontroll në Doganën e Durrësit, borxhi doganor arrin 1.4 mld lekë

Dogana_Durres_01-520x250

Borxhi i Doganës së Durrësit ka arritur në 1.4 miliardë lekë. Kështu rezulton nga inspektimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit në këtë doganë, ndërsa bëhet e ditur se borxhi iu përket 438 subjekteve.

Sipas KLSH Dogana e Durrësit nuk ka marrë masat e nevojshme për rikuperimin e kësaj shume, që përbën shkelje të Kodit Doganor “Për zbatimin praktik të procedurës së evidentimit, kontabilizimit dhe vjeljes së borxhit doganor dhe akcizës”.

Në total të ardhurat doganore janë realizuar 4% më pak se plani i vitit 2015 ose thënë me shifra më shumë se 2 miliardë lekë nuk janë grumbulluar. Të ardhurat më të realizuara janë ato nga TVSH, të cilat janë përmbushur në masën 96.5%.

Gjithashtu KLSH raporton parregullsi në Sektorin e Regjimeve dhe Akcizës, ku kontrolli dhe inventarët vjetorë nuk janë realizuar sipas kërkesës së legjislacionit. Prandaj KLSH kërkon bashkëpunimin e Doganës së Durrësit me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për rikuperimin e borxhit doganor.

Pin It