Konferenca Nishani – Thaçi: Shqipëria, zëri shtesë i Kosovës

Konferenca e përbashkët e presidentit Hashim Thaçi dhe presidentit Bujar Nishani u përqëndrua tek bashkëpunimi i vazhdueshëm dypalësh mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Nishani tha se marrëdhëniet mes dy vendeve janë forcuar së fundmi edhe më shumë falë shtimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme si arsimi, energjetika e bujqësia. Ndërsa Thaçi shprehu mirënjohjen për ndihmën e dhënë nga Shiqpëria në procesin integrues dhe njohjen e Kosovës në botë.

“Në takimin që patëm përcollëm gjithçka që Shqipëria dhe Kosova kanë arritur. Shprehim respektin dhe mirënjohjen për kontributin e presidentit Thaçi për Kosovën, për shtetin më të ri të rajonit, i cili po ecën më ritme shumë të shpejta. Shqipëria do të mbështesë integrimin e Kosovës në të gjitha organizatat rajonale dhe ndërkombëtare. Procesi i integrimit të Kosovës do të konfirmojë dimensionin e lirisë”, deklaroi Nishani.

Ndërsa Thaçi shprehu besimin e tij në vazhdimin e mëtejshëm të bashkëpunimit.

“U jam shumë mirënjohës, e njoh dhe e vlerësoj shumë kontributin tuaj. Kam besim të plotë se Shqipëria do të jetë zëri shtesë i Kosovës. Ne jemi në rrugë të mbarë dhe do të plotësojmë njëri tjetrin në rrugën tonë euroatlantike. Inkurajojmë qeveritë e dy vendeve të rrisin angazhimet. Shoh vullnet dhe gatishmëri”, tha ai.

Pin It