Konviktet iu kthehen nxënësve, Veliaj: Të pastrehët t’i drejtohen bashkisë

veliaj-te-konvikti-ekonomik-2

Konvikti i Shkollës Ekonomike është rindërtuar plotësisht dhe është gati për të pritur nxënësit që vijnë nga rrethet për të studiuar në Tiranë. Godina e re është liruar nga banorët e tjerë që strehoheshin në të dhe është plotësuar me kushtet e nevojshme për vitin e ri arsimor.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, drejtoresha e konvikteve, Valbona Ibrahimi dhe administratori i Njësisë Administrative Nr. 2, Elez Gjoza, inspektuan ambientet e reja të këtij konvikti, duke u fokusuar tek politikat e reja sociale për strehimin dhe hapësirat publike.

Veliaj tha se studentët që vijnë në Tiranë, bëhen banorë të kryeqytetit përgjatë periudhës ses studimeve dhe duhen trajtuar si të tillë.

“Kjo do të thotë se nuk mund të kemi më konvikte të zaptuara dhe nuk mund të bëjmë ndërhyrje apo zaptime të terreneve publike, dhe çdokush duhet të ketë shansin që të shkëlqejë në jetë”, u shpreh kryebashkiaku.

Veliaj tha se Bashkia e Tiranës do të vijojë aplikimin e skemave për banesat sociale, në mënyrë që të pastrehët të kenë banesat e tyre, por të mos zaptojnë konviktet e nxënësve.

“Bashkia e Tiranës do të vazhdojë me skemat e veta të banesave sociale, të bonusit të qirasë, të qendrës së emergjencave për strehim dhe duke filluar nga viti tjetër, edhe të kredive të buta, të cilat pavarësisht se mund të jenë bllokuar në nivel qendror, Bashkia e Tiranës me financat e veta do të çlirojë kredi të buta, që kushdo që ka realisht nevojë për strehim, ta ketë këtë mundësi, por jo në kurrizin e të lënit pa strehë një nxënës të konvikteve”.

 

Pin It