Kreu i KMSH uron besimtarët për Kurban Bajram: “Të gëzojmë zemrat, të flasim me gjuhën e dashurisë”

Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj, uroi besimtarët myslimanë dhe gjithë shqiptarët me rastin e festës së Kurban Bajramit. Urimi i tij kishte në qendër fjalët mirëkuptim, dashuri, paqe e mirësi për gjithë shoqërinë.

Bruçaj tha se Kurban Bajrami është simbol i sakrificës, sinqeritetit dhe dorëzimit të plotë tek Allahu, është shprehje e devotshmërisë së besimtarëve dhe nxitës i solidaritetit mes njerëzve.

“Në këtë atmosferë festive këshillohet që të gëzojmë sa më shumë zemra, të shtrohen sofrat, të shtrëngohen duart e miqësisë, të vizitohen të afërmit, të sëmurët, si dhe të shkëmbehen dhurata. Të kemi në qendër të vëmendjes fëmijët me dhurata, përkedhelje dhe të moshuarit duke qëndruar pranë tyre me përkujdesje,” – tha kreu i KMSH-së.

Ai i uroi gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit, duke theksuar se kjo festë i përket gjithë njerëzimit dhe është një rast për të ndarë me të tjerët e për të folur me gjuhën e dashurisë.

“Kjo është një festë që i përket gjithë njerëzimit, prandaj le të ndajmë me nevojtarët mirësitë materiale e shpirtërore. Të lutemi që ditët e festës të vazhdojnë pareshtur për mbarë njerëzimin; të lutemi e të festojmë të bashkuar dhe të flasim vetëm një gjuhë, atë të dashurisë, vlerësimit ndaj njëri-tjetrit dhe ndihmës reciproke,” – u shpreh Bruçaj në prag të festës së Kurban Bajramit.

Kurban Bajrami festohet ditën e hënë, 12 shtator 2016, ndërsa Komuniteti Mysliman i Shqipërisë njofton të gjithëe besimtarët se falja e namazit të Kurban Bajramit do të bëhet në orën 07:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara ish – Hotel Dajtit.

Më herët do të mbahet një ceremoni me lexim Kur’ani, ligjërata dhe përshëndetje. Më poshtë po japim programin e plotë të kësaj dite.

PROGRAMI I PLOTË I KURBAN BAJRAMIT 2016

05:30 – NAMAZI I SABAHUT (FALJA)
05:45 – KURAN
06:30 – HAPJA
06:35 – LEXIM KURANI – IMAMI I XHAMISË SË SELITËS, ADNAND MERJA.
06:40 – FJALA E KRYETARIT TË KMSH-së, SKENDER BRUÇAJ.
06:45 – LIGJËRATË –ELVIS NAÇI.
07:00 – FALJA E NAMAZIT TË BAJRAMIT
07:10 – HYTBEJA E BAJRAMIT – MYFTIU I TIRANËS, YLLI GURRA
07:20 – ILAHI

 

Pin It