Kujdes infeksionet gjatë verës, këshillat e mjekes

984184-10153506061074439-5125631804775526326-n

Stina e verës, frekuentimi i pishinave dhe plazheve mbart edhe rrezikun e prekjes nga sëmundjet e lëkurës, duke nisur nga alergjitë e thjeshta deri në infeksione të rënda. Mjekja dermatologe në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza,Entela Shkodrani, apelon qytetarët për mbrojtjen e lëkurës duke u konsultuar me ekspertët e shëndetit, kryerjen e ekzaminimeve përkatëse dhe përdorimin e kremrave mbrojtës. Melanoma, është një ndër kancerët më të rrëzikshëm të lëkurës, pasojat e së cilës janë vdekjeprurëse.

 

Rreth 10% e pacientëve që kërkojnë ndihmën e mjekëve dermatologë, shfaqin probleme të alergjive të lëkurës.

Ata janë të predizspozuar për sëmundje alergjike,pasi lëkura është e ndjeshme dhe reagon ndaj diellit, ndaj kushteve higjenike ndaj përdorimit të kremrave, kontakti me bojërat nëse pacienti i përdor intesivisht ato pa u konsultuar më parë nga mjekët ekspertë.

Sëmundjet nga alergjitë janë prezente edhe në stinët e tjera të vitit, por shtime të rastit ka gjatë periudhës së verës, kur lëkura është më ekspozuar dhe e ndjeshme ndaj kushteve atmosferike, ambjetit, prezencës së poleneve etj.

Mjekët dermatologë thonë se alergjitë demostrohen me fryerje të lëkurës, skuqje dhe kruajtje pas kontaktit me elemetët alergjikë.

Për të evituar sëmundje të tilla, duhet bërë patjetër një test se në çfarë shkalle është ndjeshmëria e lëkurës dhe pasi të mësoni këtë duhet të shmangni elemetët apo përbësit që shkaktojnë irritim.

 

Entela Shkodrani, mjeke: Individët që janë të predispozuar për të pasur sëmundje alergjike sepse kanë një tendencë për të pasur sëmundje alergjike apo sëmundje të tjera autoimune që acarohen në periudhën e verës për shkak të krijimit të kushteve të favorshme të diellit, të temperaturës, të alergjizimit në përgjithësi të natyrës.

Nëse në këtë katerori të parë, personat njohin alergjitë dhe e kanë më të lehtë të marrin masat për të mbroJtur lëkurën, ka një tjetër kategori ku kujdesi nuk është gjithmonë i mjaftueshëm.

Mjekja dermatologe në QSUT, Entela Shkodrani, thotë se kategoria e dytë e pacientëve e ndeshur shpesh në vizitat dhe ekzaminimet në këtë qendër spitalore është ajo e pacientëve që shfaqin patologji të ndryshme për shkak të kontaktit me njëri-tjetrin në pishina apo në det për arsye të mbipopullimit.

Prania e infeksioneve mykotike apo ato qelbëzuese, janë grupi kryesor i patologjive që shton rastet e pacientëve.

 

Entela Shkodrani: Kemi një kategori tjetër pacientësh që në gjithë periudhën e verës shfaqin patologji si pasojë e kontakteve të ngushta të personave njëri me tjetrin për shkak të mbipopullimit të ambjenteve dhe për shkak të qëndrimit sa më shumë të njerëzve në ambjente të hapura. Në këto sëmundje mund të futim disa, psh praninë e infeksioneve mykotike dhe shtimin e infeksioneve mykotike, infeksioneve qelbëzuese të lëkurës apo infeksioneve piodermike të lëkurës apo dhe infeksioneve virale. Këto janë një grup patologjish që nuk është se nuk janë prezente në periudhën tjetër të vitit, por në këtë kohë janë rastet më të shumta për shkak të kontaktit dhe mundësisë së infektimit që kanë njerëzit njëri me tjetrin.

Infeksionet mykotike gjenden shpesh dhe mund të përhapen lehtësisht në pishinë. Lëkurat më të ndjeshme, janë të predispozuar për ti marrë ato.

Entela Shkodrani: Numri i rasteve me infeksione mykotike të lëkurës për shkak të krijimit të kushteve të favorshme të pishinave dhe plazheve dhe për shkak të kontaktit të ngushtë të njerëzve njëri me tjetrin. E zëmë se një infeksion mykotik është i pranishëm në një ambient në pishinë dhe agjenti shkaktar i këtyre infeksioneve mykotike ka terren të favorshëm për tu zhvilluar për shkak të temperaturës, lagështisë, atëherë personat që janë të predispozuar dhe janë në kontakt të ngushtë me njëri-tjetrin mund të marrin këtë infeksion mykotik.

Infeksionet mykotike prekin zakonisht këmbët dhe zhvillohen në thonjë.

Entela Shkodrani: Vihen re shumë raste me infeksione mykotike të këmbës, trupit, thoit.Nuk është se diagnostikohen menjëherë por me kalimin e kohës fillojnë dhe shfaqen ndryshimet karakteristike në thua.

Më të rrezikuar nga infeksionet mykotike janë fëmijët, të cilët preferojnë të luajnë me njëri-tjetrin dhe e kanë të pamundur të tregojnë kujdes.

Entela Shkodrani: Ajo që për ne është më shumë problem gjatë verës janë infeksionet piodermike të fëmijëve të vegjël që ndodhin shumë në plazh apo pishina, si pasojë e kontaktit të ngushtë të fëmijëve njëri me tjetrin.

Por, prindërit kanë mundësi të kuptojnë shenjat e fëmijës dhe duhet t’u drejtohen mjekëve.

Në pishina, është e rëndësishme marrja e masave për klorifikimin dhe dezinfektimin e pishinave.

Por bluzat e bardha rekomandojnë që të jenë vetë pacientët të cilët duhet të konsultohen me specialistët përparase të shkoni në plazh apo në pishina.

Pasi nëse je mbartës i infeksioneve, është mundësia më e madhe që infeksionin tuaj t’ua transmetoni të tjerëve.

Kategoria risk e probleme të lëkurës, janë personat që kanë nishane në trup.

Mjekja, Entela Shkodrani, thotë se kjo kategori duhet të tregohet shumë e vëmendshme për të bërë ekzaminime përpara ekspozimit të tyre në diell.

Nëse personat që kanë nishane nuk tregojnë kujdes, pasojat janë edhe më të rënda, në prekjen nga melanoma, sëmundje kancerogjene e lëkurës.

Entela Shkodrani: Në QSUT por dhe klinikat ambulatoriale vihet re shtimi i numrit të personave që kërkojnë ekzaminime të nishaneve apo elementëve në lëkurë.Në një farë mënyrë ja kemi arritur qëllimit tonë që të sensibilizojmë njerëzit për kontrollin e nishaneve dhe elemenëtëve të tjera për të parandaluar rastet e melanomës apo kancerit të lëkurës.

Rekomandimi është për përdorimin e kremit mbrojtës, veshjet e duhura për të shmangur thithjen e rrezeve të diellit, evitimin e orarit të pikut nga ora 11.00 deri në 15.00 të pasdites. Rekomadohet gjithashtu mbajtja e kapeles.

Nëse ka përceptime që nishani nuk duhet të preket, apo të lyhet me krem, sipas mjekëve është mendim i gabuar.

Melanoma është një nga format me vdekjeprurëse të kancerit të lekurës pasi shkakton rreth 75% të vdekjeve nga të gjitha format e kancerit të lekurës dhe konsiderohet si një ndër problemet sociale për shkak të kostove dhe kohës së trajtimit.

Statistikat në vendin tonë tregojnë se rreziku i jetës për një person me melanomë është 1 me 50 për burrat dhe 1 me 20 për gratë. Krahasuar me vitet e kaluara, inçidenca e melanomës vazhdon të rritet.

Melanoma është një tumor që zhvillohet në përgjithësi tek personat me lekurë të bardhë gjatë kontaktit të tyre të shpeshtë e të pambrojtur me rrezet e diellit. Diagnostikimi i hershëm i melanomës, pra identifikimi i saj në formën siperfaqësore, mund të ulë si sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë nga kjo patologji.

Për të kuptuar rrezikun nga melanoma, duhet të shihni me kujdes dhe të numëroni nishanet tuaja. Në raste se evidentonti ditë pas dite, rritje të numrit të tyre, apo zbardhim të nishaneve ekzistuese duhet të nisin konsultat me mjekët specialistë.

Pjesa më e madhe  e tyre (por jo të gjitha) kur diagnostikohen janë 7 mm apo më shumë në diametër. Nishanet gjithashtu marrin ngjyra të ndryshme,  tre ose më shumë si ngjyrë kafe, të zezë dhe blu në të zezë. Ndryshojnë edhe forma e tyre, bëhen të çrregullt dhe asimetrikë.

Melanoma, sipas ekspertëve, ka si shkak faktorin gjenetik. Por, përtej kësaj, personat duhet të jenë gjithmonë vigjilentë për të ruajtur dhe mbrojtur lëkurën dhe nishanet e tyre, sidomos gjatë stinës së verës.

 

Pin It