Sensibilizmi i biznesit, tatimet në terren nga 1 gushti

KUPONI1

Nga 1 gushti, në terren do të rinisë fushata e tatimeve për kontrollin e bizneseve për kasat fiskale dhe lëshimin e kuponave tatimorë. Teksa ka prezantuar këtë nismë, që do të përqëndrohet kryesisht në zonat turistike, Ministri i Financave Arben Ahmetaj ka deklaruar se kontrollet nuk do të jenë represive dhe nuk do të synojnë gjobitjen e biznesit, por sensibilizimin e tij për vënien në punë të kasës dhe lëshimin e kuponit.

Me 1 gusht Tatimet do të zbresin në terren për të kontrolluar për funksionimin e kasave fiskale dhe lëshimin e kuponit tatimor, kryesisht në zonat turistike.

Ka qenë Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, që prezantoi fillimin e fushatës sensibilizuese për kuponin tatimor, në prani të Drejtoreshës së Përgjithshme të Tatimeve, Brisida Shehaj dhe zv.Ministres Irena Beqiraj.

Kreu i Financave ka qenë i kujdesshëm teksa përsëriti disa herë se fushata nuk do të jetë represive, por do të synohet bashkëpunimi me biznesin.

 

Ahmetaj: Në datën 1 gusht Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve e ndihmuar edhe nga njësitë e tjera të drejtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të rinisë një fushatë ndërgjegjësimi dhe një aksion antiinformalitet të fokusuar tek kuponi tatimor. Nuk është objektivi ynë të vendosim gjoba, objektivi jonë është të ndihmojmë tatimpaguesit të zbatojnë detyrimin ligjor.Gjoba është e fundit.

Kryefinancieri Ahmetaj evidentoi problemin e kasave që nuk funksionojnë.

Sipas tij, më shumë sesa një problem teknik, është evazion. E thënë ndryshe, biznesi e ka blerë kasën, por nuk e ka  vënë në punë për të mos identifikuar xhiron ditore që realizon.

 

Ahmetaj: Numri i kasave mostransmetuese është akoma shumë i madh. Do duhet të bëjmë një punë jashtëzakonisht shumë të madhe në terren për të verifikuar arsyet se pse këto kasa nuk transmetojnë dhe a është një situatë evazioni, një thyerje ligji, apo një situatë teknike e një lloji tjetër. Jam i bindur se është më shumë e para se e dyta.

 

Ministri i Financave ka bërë të ditur gjithashtu se drafti që lehtëson procedurat për biznesin pritet të dërgohet në Qeveri javën e ardhshme, por miratimi nga Parlamenti do të mbetet për në shtator me sesionin e ri, sëbashku me rishikimet që do t’i bëhen buxhetit të këtij viti.

 

Pin It