Kulla e Sahatit do të vizitohet me pagesë, të ardhurat shkojnë për mirëmbajtjen

Images

Pas kthimit të Kullës së Sahatit në një objekt të vizitueshëm, Bashkia e Tiranës njofton se Kulla dhe Muzeu i Sahatit do të mund të vizitohen kundrejt pagesës.

Bileta do të kushtojë 200 lekë dhe tarifa argumentohet të ketë lidhje me kthimin e Kullës dhe muzeut në të në një pikë tërheqëse turistike.

“Fluksi gjithnjë në rritje i turistëve dhe i vizitorëve drejt këtyre dy atraksioneve të qytetit kërkon veç të tjerash edhe një menaxhim sa më cilësor të tyre. Nga një sondazh që është kryer në këto objekte gjatë një jave rezulton se vizitorët, kryesisht të huaj, por edhe shqiptarë janë mesatarisht 75 persona në ditë,”- thuhet në sqarimin e Bashkisë së Tiranës.

Biletaria mendohet të jetë e sistemit me xhetona në mënyrë që të jetë më e kontrollueshme, ndërsa të ardhurat nga biletat do të shkojnë për mirëmbajtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike në qytet.

Bashkia propozon që kategori të ndryshme si nxënësit e shkollave, pensionistët, veteranët, invalidët e punës e të luftës, përfituesit e ndihmës ekonomike, personat me aftësi të kufizuar etj., të përjashtohen nga pagesa.

Pin It