Le Pen humb zgjedhjet, fiton popullaritet

Për Marine Le Penin, rezultati i raundit të dytë të zgjedhjeve vendore të Francës ishte padyshim një goditje e fortë. Udhëheqësja e Frontit Nacional e humbi mundësinë të qeveriste ndonjë rajon e t’i tregonte botës sesa serioze është partia që ajo drejton.

Le Penit iu kujtua në këtë mënyrë se, sado të fuqizohet ekstremi i djathtë, portat e pushtetit për të do të vazhdojnë të jenë të mbyllura. Megjithatë, 46-vjeçares kjo i vjen deri diku për shtat, pasi rezultati i së dielës tregoi se, në Francë gjërat nuk kanë ndryshuar.

Dy partitë e mëdha ndajnë pjesën e “luanit”, e me lojërat politike hyjnë me vetëdije të plotë edhe te copa e saj. Ndërkohë – thotë BBC, – papunësia rritet, terrori krekoset, fryma e rebelimit vazhdon të përhapet.

Perspektiva e Le Penit drejt pushtetit mund të jetë e kufizuar, por thirrjet e saj janë sot më të forta se kurrë, me numrin e të pakënaqurve që sa vjen e shtohet. Mposhtja në këto përmasa e Frontit Nacional ishte pasojë e tërheqjes së socialistëve nga rajonet kyçe dhe thirrjet drejtuar simpatizantëve të tyre për të mbështetur konservatorët e ish-Presidentit Nicolas Sarkozy.

Megjithatë, partia e Le Penit në vetvete shënoi rezultatet më të mira të të gjithë historisë së saj. Si në shtypin vendas, ashtu edhe mes francezëve të thjeshtë, reagimet kanë qenë të përziera. “Të lehtësuar, por…”, ky ishte titulli kryesor i gazetës së majte “Liberation”.

“Konservatorët marrin votën, socialistët rezistojnë, ‘Fronti Nacional’ dështon”, shkruante e përditshmja “le Figaro”. Pavarësisht humbjes së partisë së Le Penit, nuk janë të paktë ata që e shohin rritjen e saj si një paralajmërim.

“Nga njëra anë arritëm ta shmangim baticën e ekstremit të djathtë, por nga ana tjetër situata është goxha e komplikuar: 7 rajone u shkuan konservatorëve, 5 socialistëve, të shohim si do shkojë”.

“Është thjesht një manovër politike, të gjithë u pozicionuan kundër Frontit Nacional. Politika vazhdon lojërat e saj e kjo s’ka për të ndryshuar kurrë. Partitë e tjera bashkuan forcat, që të krijonin një mur, kjo është e gjitha. Të them të drejtën jam pak i zhgënjyer”.

Le Pen shpresonte t’i përdorte zgjedhjet vendore si trampolinë për Presidencialet e 2017-s. Deri përpara disa vitesh, partia e themeluar nga i ati i saj ishte mjaftuar me votat e të pakënaqurve, por që kur mori frerët e forcës politike në 2011-n, Marine ka ndryshuar strategji e është përpjekur të krijojë një bazë të fortë të përzgjedhurish lokalë, në shërbim të atyre që përbëjnë objektivin e saj të vërtetë: nivelet më të larta të pushtetit.

Pin It