Ligji i ri mbron fëmijët edhe nga prindërit, mësuesit dhe puna

children

Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë prezanton ligjin e ri për mbrojtjen e fëmijëve, i cili përforcon masat ndëshkimore për ata që keqtrajtojnë fëmijët në forma të ndryshme të dhunës.

Ministri Blendi Klosi tha se ligji parashikon heqjen e të drejtës së prindërimit për ata prindër të cilët i dhunojnë fëmijët apo neglizhojnë kujdesin ndaj tyre. Po ashtu bazuar në këtë ligj mësuesit, mjekët, apo edukatorët të cilët keqtrajtojnë fëmijët humbin të drejtën e ushtrimit të profesionit. Ata janë gjithashtu të detyruar të raportojnë dyshimet për dhunë ndaj fëmijëve, pasi në të kundërt do të pezullohen nga detyra.

Për herë të parë ligji parashikon sanksione të qarta edhe për shfrytëzimin e fëmijëve në punë. Sipas ligjit të ri, në çdo bashki të vendit do të ketë punonjës socialë që do punojnë me tre turne.

Për përmirësimin e ligjit Klosi zhvilloi një takim me fëmijë të periferisë së Tiranës për të dëgjuar shqetësimet e tyre.

Pin It