Mali i Shoshit, piktura e vërtetë e turizmit dimëror

“Shqipëria është plot me male, male ka edhe Tirana. Edhe në Dajt bie bore, por asnjë mal në Shqipëri, nuk është më atraktiv dhe më i përshtatshëm për zhvillimin e turizmit dimëror sesa Mali i Shoshit”,  më fliste me pasion këtë fillim viti një miku im malësor i këtyre anëve.

Për të kapur këto maja, mund të ndjekësh rrugët nëpër mal, të hapura dikur nga ndërmarrjet e sharrave.

Ato kanë krijuar labirinte të shumta, mjaft të përshtatshme për shëtitje në dëborë, jo vetëm për kategorinë e turistëve të ecjeve malore, por për të gjitha moshat. Rrëpira jo të rrezikshme, të përshtatshme për pista të vogla skijimi. Ish-sektori i sharrave, por edhe livadhe të tjera për kampingje verore e dimërore e njësi të tjera akomoduese e shërbyese.

Prani të shumta të kafshëve dhe shpendëve të egër, shtojnë kuriozitetin e vizitorit ndërsa bora e pranishme deri në 6 muaj  mundëson aktivitetin turistik në këtë zonë.

Eshtë një rrugë më e shkurtër për në këto lartësi të bukura, ajo që kalon për Luginën e bukur të Kirit, rruga që çon në dy fiset legjendare Shosh e Shalë, me atraksione turistike të shumta e të mrekullueshme dhe rruga tjetër që të nxjerr në  Theth, por që shpesh bëhet e vështirë  nga bora e Qafë T’Thores.

Rapsodi dhe vet historia i ka kënduar këtij vendi të bukur e me tradita që tashmë po tërheq vëmendjen e vizitorëve aventurierë të lartësive.

Për këto male mblue me borë
Shala në shekuj ka kenë Orë
N’daç për vepra e n’daç me fjalë
Dukagjini nis prej n’Shalë…

Investimet private dhe futja e kësaj zone në axhendën turistike të vendit, po sjellin zhvillimin  e një turizmi të qëndrueshëm në Shalë e Shosh. Kullat e moçme si kala prej guri, në themel të tyre ngul fort tradita, mikpritja, besa e burrnia, monumentet e shumta kulturore, historike e natyrore, flora dhe fauna tepër e pasur, bëjnë që Dukagjini të jetë thesar i atraksioneve turistike aq shumë të kërkuara nga dashamirësit e turizmit malorë vendas e të huaj.

Me iniciativë individuale, atje sot, ka një bujtinë, e cila përbën një shpresë që në pranverën e ardhshme do të pasohet edhe nga të tjera dhe njëkohësisht, është një thirrje e fuqishme për mbështetje nga organizmat shtetërore dhe shoqatat vendase e të huaja. Janë disa kulla tradicionale malësore që tashmë janë kthyer në bujtina pritëse për vizitorët e çdo stine.

Investimet e disa prej banorëve vendas si Pal Binoshaj, për ta zhvilluar ekonominë e tyre në fushën e turizmit duke  kthyer kullat në mikpritëset e para  të turistëve, prej në Qafë të Ndërmanjës, Nderlysa, në Qafë të Agrit e deri në Mal të Shoshit.

Edhe pistat e skive në këto shpate pothuajse janë gati, ato veç duhen sistemuar dhe trajtuar si të tilla.

/ATA/

Pin It