MAS, plan për zëvendësimin e orëve të mësimit në shkolla dhe universitete

Shkollat dhe universitetet do të zëvendësojnë orët e mësimit, të pezulluara për shkak të motit të ftohtë, sipas një plani konkret të hartuar nga Ministria e Arsimit. Plani parashikon mundësinë e shfytëzimit të të shtunave dhe orëve ekstrakurrikulare.

Zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj, tha për mediat se është ngritur një grup pune në bashkëpunim me drejtoritë rajonale arsimore. Ministria ka dërguar një plan orientues në këto drejtori por ende nuk ka një vendim të plotë.

“Në bazë të programit të secila shkollë do të llogarisë orët e humbura  dhe sipas një grafiku do të bëhet zëvendësimi i tyre që mund të jetë edhe gjatë ditëve të shtuna por ky zëvendësim do të shtrihet përgjatë tërë vitit. Secila shkollë do të përgatisë një program të plotë, pra një grafik sesi do të bëjë të mundur zëvendësimin e orëve të humbura të mësimit, të cilën do t’ja dërgojë më pas Ministrisë së Arsimit.  Aktualisht, grupet e punës të ngritura nga MAS në bashkëpunim me Drejtoritë Rajonale janë në terren duke vëzhguar situatën”, tha zv/ministrja Malaj.

Shkollat dhe universitetet kanë humbur dy javë mësimore për shkak të kushteve atmosferike dhe epidemisë së gripit, të cilat nxitën Ministrinë e Shëndetësisë të kërkojë pezullimin e mësimit si masë parandaluese për përhapjen e mëtejshme të virozës që ka prekur aktualisht më shumë se 19 mijë vetë në rang vendi.

Pin It