MAS publikon procedurën e emërimit të mësuesve të rinj

15281162_1171231186302624_917137770_n

Ministria e Arsimit bën publike procedurën që do të ndiqet për emërimin e mësuesve të rinj në arsimin parauniversitar. Kandidatët duhet të dorëzojnë dosjen e tyre në portalin “Mësues për Shqipërinë” deri në 23 nëntor. Sipas MAS me rëndësi është edhe testimi që do zhvillohet në 21 janar 2017, në bazë të të cilit do të bëhen llogaritjet se kush do të ketë mundësi të emërohet për vendet e lira.

Në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit thuhet se emërimet e mësuesve bëhen nëpërmjet konkurimit në portalin “Mësues për Shqipërinë” që përfshin 3 faza. Në fazën e parë kandidatët duhet të dorëzojnë dosjen me 13 dokumente. Mungesa e një dokumentacioni skualifikon automatikisht kandidatin.

Kandidatët që kualifikohen në këtë fazë marrin pjesë në testim më 21 janar. Pas testimit del lista e kandidatëve për çdo profil/lëndë ku listohen kandidatët në bazë te pikëve të grumbulluara.

Në fazën e fundit përzgjidhet vendi i punës, ku përparësi i jepet kandidatit që ka numrin më të madh të pikëve. Kandidati emërohet nga drejtori me kontratë individuale për një periudhë prove 1 vit, dhe pas kësaj, miratohet nga komisioni i shërbimit psiko-social, ku bëhet edhe emërimi përfundimtar i mësuesit.

Testimi i të gjithë kandidatëve për testim do të jetë në përputhje me profilin e tyre. Orientimet në lidhje me testimet sipas profileve do të behën publike në portalin “Mësues për Shqipërinë”.

“Çdo i interesuar duhet të ngarkojë gjatë plotësimit të formularit dy dokumente:  formularin e pranimit të lëshuar nga DAR/ZA. Dokumenti identifikues që mund të jetë Karta e identitetit ose pasaporta personale  Një individ që dëshiron të aplikojë duhet të tregojë kujdes në plotësimin e këtij formulari pasi nuk ka të drejtë ta përsërisë atë pas konfirmimit të aplikimit”, thotë Ministria e Arsimit.

Pin It