Mazhoranca miraton buxhetin 2017, në qendër konsolidimi fiskal

cod-fiscal-e1474017897403

Buxheti dhe paketa fiskale për vitin 2017 u miratua në parim vetëm me votat e mazhorancës, sepse opozita nuk mori pjesë në votim.  Seanca e diskutimit të buxhetit zgjati deri në orën 02:40 të mëngjesit të së premtes, kur u miratua me 82 vota pro dhe 2 votat kundër të Ben Blushit dhe Mimoza Hafizit.

Opozita e kundërshtoi projektbuxhetin, duke e cilësuar atë si varfërues për xhepat e shqiptarëve. Ndërsa sipas qeverisë qytetarët janë përfituesit e drejtpërdrejtë të këtij buxheti, pasi ai kalon 100 milionë dollarë nga arka e shtetit tek arka e qytetarëve.

Kryeministri Edi Rama tha se buxheti finalizon një përpjekje të madhe ‘për të futur shtetin në shina’, duke vendosur rregull në llogaritë e shtetit.

“Vetëm me këtë buxhet, ne spostojmë 100 milionë dollarë, nga arka e shtetit në arkën e qytetarëve. Ndërkohë që, vetëm me uljen e tatimit mbi të ardhurat personale, ne spostojmë në sistemin publik dhe atë privat 440 mln dollarë për 4 vite”, u shpreh Rama.

Nga ana tjetër Partia Demokratike deklaroi se ky mandat qeverisës rriti taksat me 1,5 miliardë dollarë, thelloi borxhin publik dhe varfërori shqiptarët.

“Banka Botërore në raportin e saj për 2015-n thotë se niveli i varfërisë në Shqipëri është 47.5%”, u shpreh Berisha.

Buxheti për vitin 2017 është 467 miliardë lekë, ndërsa tipari kryesor i tij është konsolidimi fiskal. Edhe pse në një vit zgjedhor, huamarrja e qeverisë do të jetë më e ulëta në histori, vetëm 1.9 për qind e prodhimit kombëtar.

 

Pin It