Rritja ekonomike në 2017 pritet të jetë 3.8 %

buxheti

Rritja ekonomike për vitin 2017 planifikohet të jetë 3.8 %. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, gjatë një konference për shtyp në fund të muajit dhjetor tha se parashikohet që Shqipëria të bëhet vendi i 2 me rritje rritjen më të lartë në gjithë ish-bllokun komunist.

Banka e Shqipërisë gjithashtu parashikon një përmirësim të rritjes ekonomike gjatë dy viteve të ardhshme. Motorri kryesor i rritjes pritet të jetë gjallërimi i kërkesës private, ndërkohë që politika fiskale do të vazhdojë të mbetet në kahun konsolidues.

Buxheti i vitit 2017, krahas mbështetjes së rritjes ekonomike parashikon edhe përmirësimin e konsolidimit fiskal përmes uljes së borxhit me 3%, duke zbritur në 69.1%. Po ashtu të ardhurat rriten me 7.6% më shumë se në 2016-ën, duke arritur në 436 400 milionë lekë. Shpenzimet llogariten 467 599 milionë lekë dhe defiçiti 31 199 milionë lekë.

Po ashtu Investimet publike parashikohet të arrijnë masën 5% të PBB. Gjatë këtij viti qeveria planifikon të financojë 20 miliardë lekë për reformat në sektorët kyçë, ndërsa do të akordojë 100 milionë dollarë për rritjen e pagave dhe pensioneve.

Më herët qeveria deklaroi se rritja ekonomike e PBB për vitin 2016 ishte 3.3-3.5%. Sipas MF kjo rritje i dedikohet gjallërimit të konsumit dhe investimeve private, të mbështetur nga rritja e pagave dhe punësimit, nga përmirësimi i besimit, si dhe nga kushtet e favorshme të financimit.

 

Pin It