Miratohet në parim paketa fiskale, prioritet industria përpunuese

buxheti

Komisioni i Ekonomisë miratoi në parim të mërkurën paketën fiskale për vitin 2017. Gjatë prezantimit të saj përpara anëtarëve të Komisionit, ministri Arben Ahmetaj tha se paketa fiskale 2017 përmban ulje modeste te ngarkesës fiskale, thjeshtim të procedurave dhe lehtësim të marrëdhënieve me sipërmarrjen.

Ahmetaj deklaroi se gjatë 2017-ës do i jepet përparësi industrisë së përpunimit të mineraleve metalore, duke synuar rritjen e punësimit dhe ekonomisë. Për mineralet metalore që përpunohen në vend renta do të përgjysmohet nga 6% që është aktualisht në 3%.

Por opozita e ka kundërshtuar paketën fiskale, duke e cilësuar atë si nxitëse të evazionit. Sipas deputetit democrat Ridvan Bode, masa e marra nuk ndihmojnë biznesin por interesat klienteliste.

“Keni dështuar në politikat fiskale që keni ndërmarre, ndërsa barra e shtuar nga taksat e rritura llogaritet 1.5 miliard dollarë”, tha Bode.

Ndërkohë paketa fiskale parashikon ulje taksash edhe për industrinë e fasonit, duke çuar në zero tarifat doganore për lëndët e para të kësaj industrie. Ndërsa parashikohet rritje për gazin e lëngshëm që përdoret për automjetet dhe rritje e numrit të automjeteve që paguajnë taksën e luksit në masën 500 euro në vit.

 

Pin It