Mbështetje financiare për prodhimet bujqësore “BIO”

Skemat e subvencionimit nga buxheti i shtetit dhe grandet e programit IPARD II, do të mbështesin fermerët për kultivimin e prodhimeve autoktone shqiptare “bio”, si alternativa më e mirë për të orientuar bujqësinë drejt rritjes së prodhimit dhe eksporteve shqiptare.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi ka vizituar një nga pikat më të mëdha, të grumbullimit dhe eksportit të gështenjave, jo vetëm për qarkun e Lezhës, por në gjithë Shqipërinë. Kjo sipërmarrje mbanë certifikatën “Bio” dhe operon sot në treg duke përdorur një teknologji moderne dhe shumë të përparuar. Vlera e eksporteve të saj shkon në 8 milionë euro në vit. Ky investim është mbështetur nga skema kombëtare e mbështetjes në bujqësi.

Në fjalën e tij Ministri u përqendrua kryesisht në nevojën e orientimit të fermerit drejt kulturave të reja, mundësisht drejt 15 kulturave të përzgjedhura si potenciale shumë të fuqishme për eksportin shqiptar.

“Shumë fermerë nuk e bëjnë dot atë kalimin, kapërcimin, hapin e madh drejt kulturave moderne, që do të thotë, kultura që i kërkon sot tregu dhe që japin shumë të ardhura, shumë herë më tepër të ardhura për fermerin. E para, sepse nuk kanë njohuritë e nevojshme, shërbimi i këshillimit pothuajse ka qenë inekzistent. Formula, që ne jemi duke gjetur për të dalë nga ky ngërç, është bujqësia me kontratë. Pra, ta afrojmë grumbulluesin me fermerin së bashku dhe ne si shtet t’i mbështesim.”

“Duke i bërë bashkë grumbulluesin dhe fermerin dhe pas tyre, shtetin me subvencionet, me skemën e subvencioneve, që do të fillojmë këtë vit, me IPARD-in që fillon nga mesi i vitit, duke mbështetur 50 % të vlerës të fidanëve për grumbulluesin, duke mbështetur si në rastin e shalqirit psh, 3 milionë lekë të vjetra për hektarë, mbjelljet e reja. Duke mbështetur 15 kulturat tona prioritare dhe që janë potenciale për eksportin, ne hap pas hapi, hektar pas hektari, bashki pas bashkie në të gjithë Shqipërinë, do të ndërtojmë fermat, jo të parat, se të parat, kemi disa të para, por do të shtojmë fermat komerciale, fermat moderne. Bujqësinë komerciale përkundër bujqësisë së mbijetesës. Treguesi i punës tonë, të Ministrisë së Bujqësisë dhe i Drejtorive të Bujqësisë nëpër rajone, do të jetë rritja e numrit të fermerëve që shkojnë nga kulturat e vjetra dhe me pak fitim, u japim vetëm mbijetesën, drejt kulturave të reja, mundësisht drejt 15 kulturave të reja, të cilat krijojnë të ardhura, biznes, ekonomi, dhe pse jo, pasuri dhe mirëqënie për fermerin shqiptar. “/ATA/

Pin It