Mbyllet Matura Shtetërore, testimet e gjuhës angleze do të vlerësohen në Qendrën ETC në Amerikë

Nora-Malaj-660x330

Me përfundimin provimeve të lëndëve me zgjedhje, maturantët mbyllën procesin e Maturës Shtetërore për këtë vit shkollor. Sipas zëvendësministres së Arsimit, Nora Malaj, e cila ka monitoruar mbarëvajtjen e 3 provimeve të detyruara, përkatësisht: Gjuhës së huaj, Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë dhe Matematikës, testimet e lëndëve me zgjedhje janë zhvilluar krejt normalisht. Malaj shtoi se sa u takon lëndëve me zgjedhje, gjuha e huaj është më e përzgjedhura nga maturantët, testim që do të vlerësohet nga ekspertë të huaj. Pas zhvillimit të provimeve me zgjedhje, të fundit për të përmbyllur procesin e Maturës për vitin shkollor 2015-2016, të rinjtë do të përgatiten për sfidën e radhës, që është “konkurrimi” në universitete, bazuar në kriterin e mesatares dhe në ato të përcaktuara nga vetë institucionet e arsimit të lartë. “Kemi pasur një seriozitet maksimal, ndoshta një çikë më të madh me gjithë administratorët, një përgjegjshmëri më të madhe. Jo pa qëllim erdha tek shkolla ‘Ismail Qemali’ sepse dhe Tirana ka numrin më të madh të maturantëve që kanë përzgjedhur gjuhën angleze”, deklaroi Malaj. Mësohet se në këtë shkollë, testimet për lëndët me zgjedhje kanë nisur më vonë sesa orari zyrtar. “Është provimi më i gjatë dhe ka dhe një specifikë tjetër, gjuha angleze bëhet më e monitoruar për arsyen e provimit TOEFL Junior. Fillon më vonë sesa provimet e tjera, pasi edhe kohëzgjatja është më e madhe. Sa i takon vlerësimit të provimeve, zëvendësministrja e Arsimit shton se për herë të parë, në këtë drejtim, Shqipëria do të renditet në listën e vendeve të rajonit, që guxojnë të fusin një standard europian. “Ne do të vendosemi në ato vendet në rajon që për herë të parë guxojnë të fusin një standard ndërkombëtar. Kjo pasi testet e gjuhës së huaj do të korrigjohen për herë të parë në Qendrën ETC në Amerikë”, theksoi Malaj. Ky është provimi i dytë pas atij të anglishtes, që nuk është komentuar për keq, pas incidenteve të regjistruara në dy provimet e detyruara të MSH-së, Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë dhe Matematikës. Testime që nxitën reagime të ashpra, pasi në mediat sociale qarkulluan vrullshëm foto të tezave të Gjuhës Shqipe dhe Matematikës. Bëhet fjalë për foto që u shpërndanë nëpër të gjitha rrjetet sociale gjatë kohës kur maturantët ishin ende duke zhvilluar testimet, çka lë hapësirë për hamendësime.

E pyetur për këto incidente, zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj, hodhi poshtë të gjitha pretendimet në lidhje me qarkullimin në rrjetet sociale të tezës së provimit të letërsisë apo të Matematikës. Malaj theksoi se në asnjë moment nuk ka pasur rrjedhje informacioni nga ana e Ministrisë së Arsimit, ndërsa pohoi se këto kanë qenë ndër provimet më të mira në historinë e Maturës Shtetërore. “Nuk kemi pasur asnjë rrjedhje informacioni. Ka pasur informacione të ndryshme. Nuk na rezulton të ketë pasur rrjedhje të informacionit. Rrjete të ndryshme sociale që kanë marrë si mision që të krijojnë tension, do t’ju them se ky proces dhe këto provime ishin një nga provimet më të mira të organizuara. Matura Shtetërore nuk i përket veç MAS, por edhe mbarë vendit. Dua t’ju them të gjithë atyre që menaxhojnë rrjetet sociale: ‘Mos luani me shqiptarët’”, deklaroi Malaj, më herët. Pas letërsisë, ky ishte rasti i dytë kur u pretendua se teza është bërë publike përpara zhvillimit të testimit. Pothuajse e njëjta ngjarje u komentua masivisht edhe për provimin e gjuhës shqipe dhe letërsisë, akuza që u mohuan kategorikisht nga drejtuesit e Ministrisë së Arsimit. Ndërkohë, ende sot, pavarësisht se ekspertët e Arsimit kërkuan të merret në shqyrtim vërtetësia e çështjes, nga MAS apo institucione të tjera përgjegjëse në këtë drejtim, nuk ka asnjë përgjigje zyrtare.

 

Pin It