MELODI E ZEMRËS – HAXHI

melodi

Emisioni “Melodi e Zemrës” kësaj radhe përcolli tek dëgjuesit ndjesi nga haxhi, udhëtimi i cili mbledh në një “konferencë” njerez nga e gjithë bota pa dallime racore e me një qëllim të përbashkët: përmbushjen e urdhrit të të Madhit Zot.

I ftuar në studio ishte teologu Fatrit Beqiri i cili solli për dësgjuesit emocionet e përjetimet e haxhit të këtij viti. Biseda nisi me vendin e haxhit në islam dhe në jetën e besimtarit. Teologu rikujtoi faktin që haxhi është një nga shtyllat e besimit islam dhe besimtari mysliman që e merr këtë rrugëtim, niset drejt plotësimit të një kënaqësie shpirtërore që nuk ta fal asgjë tjetër.

Ai tregoi rreth traditës së myslimanëve shqiptarë që e prisnin udhëtimin e jetës me dëshirë e përgatitje të shumta, duke organizuar një darkë paraprake të quajtur “darka e haxhit”, duke kërkuar hallallin tek njerëzit dhe duke planifikuar fillimin e një jete të re pas haxhit. Të gjitha këto ishin një lloj hyrjeje në atmosferën shpirtërore që i jep njeriut shpresën se do të rinisë një jetë nga e para, pa gjynahe e me zell të ri për punë të mira.

Gjatë bisedës u përmendën kushtet e kryerjes së haxhit, të cilat janë të tilla që nuk e vendosin besimtarin në vështirësi sipas urtësisë që “Allahu nuk e ngarkon robin e tij me më shumë se sa ai mund të mbajë”. Dimensioni i haxhit është i atillë që njeriu nuk sheh asnjë vështirësi, sepse Zoti jep lehtësi në çdo aspekt. Teologu Beqiri përshkroi edhe historikun e haxhit që nga Ibrahimi as deri tek profeti Muhamed a.s e në ditët tona.

Në aspektin shoqëror haxhi shfaq shumë urtësi. Ai është barazim përpara Zotit pavarësisht gjendjes ekonomike dhe sociale, duke i përngjasuar fushës së Mahsherit, ku njerëzit dallojnë vetëm nga zemra e devotshmëria. Haxhi të ofron pamjen e mrekullueshme të njerëzve që luten për veten e për të tjerët, duke treguar shpirtin e bashkësisë së islamit, në të cilën nuk ka vend individualizmi.

Në emision erdhën ndjesi të bukura shpirtërore përmes përkujtimit të traditës profetike dhe dashurisë për Zotin dhe Profetin e dashur, sepse haxhi është mundësia e jetës për të rifilluar, është dhurata më e bukur, është afrim drejt Dashurisë e Mëshirës Hyjnore. Haxhi i shërben besimtarit si një rizgjim shpirtëror dhe ushqim për ditët në vijim.

Emisioni përfundoi me lutjen që Allahu t’ua ketë pranuar haxhin besimtarëve që e kryen atë dhe t’ua mundësojë atë edhe besimtarëve të tjerë që e dëshirojnë me shpirt një gjë të tillë.

Për të mësuar më shumë dhe për t’u përfshirë më tepër në atmosferën e haxhit, ndiqni emisionin e plotë në linkun e mëposhtëm.

https://soundcloud.com/spektrum-group/melodi-e-zemres-haxhi

 

 

 

Pin It