Milani i “kinezëve”, cfarë pritet të ndodhë me kuqezinjtë

Mbyllet zyrtarisht epoka 31-vjeçare e Silvio Berlusconi-t tek Milani. Klubi kuqezi kaloi zyrtarisht në duart e sipërmarrësve kinezë të cilët arritën të blejnë 99.93% të aksioneve të Milanit. Në orët e fundit u derdhën në arkat e milanezëve edhe 370 milionët e fundit për të kompletuar blerjen e Milanit nga biznesmenët e ardhur nga Lindja e Largët.

Kalimi i pronësisë së Milanit u konfirmua nga vetë kompania Fininvest nëpërmjet një komunuikate për shtyp. Mësohet se blerja e Milanit u krye për vlerën totale prej 740 milionë Eurosh dhe këtu përfshihet edhe borxhi i klubit i vlerësuar prej 220 milionë eurosh.

Në përfundim të këtij transaksioni, sipërmarrësit kinezë premtuan se do të ndërhyjnë në rikapitalizimin e klubit për të përforcuar pasurinë dhe financat e Milanit. Në 14 prill do të zhvillohet edhe Asambleja e Ortakëve të Milanit ku pritet të përcaktohet organet drejtuese të Milanit.

Milani është një prej klubeve më legjendare të Europës, një status të cilin e fitoi pikërisht në periudhën kur president i tij ishte Silvio Berlusconi. Gjatë 31 viteve të  qëndrimit të tij në krye, Milani arriti të fitojë 29 trofe mes të cilëve 5 trofe të Ligës së Kampioneve dhe 8 tituj të Serisë A.

Praktikat e kalimit të pronësisë së Milanit në duart e sipërmarrësve kinezë më në fund u mbyllën dhe tani tifozët po presin lëvizjet e drejtuesve të rinj të klubit.

Fassone dhe Mirabelli do të jenë ata që do të merren kryesisht me administrimin e klubit, i pari në rolin e Drejtorit të Përgjithshëm, ndërsa Mirabelli do të jetë Drejtori Sportiv.

Detyra e parë e këtyre personaliteteve të klubit kuqezi është zgjidhja e çështjes së rinovimeve dhe më i rëndësishmi është ai i portierit Gianluigi Donnarumma, duke parë se prej kohësh agjenti i tij ka dërguar mesazhe paralajmëruese, duke i kërkuar Milanit garanci.

Një tjetër problem që duhet të zgjidhin kuqezinjtë është ai i trajnerit Vincenzo Montella, i cili në konferencën për shtyp në prag të derbit me Interin dha mesazhin e tij, nëpërmjet të cilit ai do të kërkojë që të kuptojë ambiciet e drejtuesve të rinj të Milanit.

Te Milani ka punë për t’u bërë edhe për kontratat e Susos e De Sciglios, ndërkohë që nuk mbetet pas as rasti Deulofeu, i ardhur me huazim nga Evertoni. Për këtë të fundit, Milani duhet të tregojë kujdes ndaj Barcelonës, që ka shfaqur interesin për riblerjen e futbolllistit të krijuar në akademinë e saj.

Merkatoja e transferimeve është një tjetër aspekt me të cilin duhet të përballen drejtuesit e Milanit. Kuqezinjtë kanë vendosur disa objektiva në këtë aspekt dhe spikasin emrat e Fabregas, Aubameyang dhe Keita, ndërkohë që po monitorohen edhe Pellegrini, Kolasinac e Musacchio.

Pin It