Ministria e Ekonomisë: Shpenzimet kapitale 2016, më të ulëtat e dekadës, shumë para të harxhuara kot

download

Shpenzime kapitale në rënie dhe një pjesë e mirë e tyre të përdorura pa afektivitet. Këtë panoramë jep Ministria e Ekonomisë në një analizë të posaçme për Komisionin Europian. Sipas kësaj ministrie shpenzimet kapitale për vitin 2016 me më pak se 60 miliardë lekë janë në vlerën më të ulët krahasuar me 10 vitet e fundit. Krahasuar vetëm me një vit më parë ata kanë një rënie prej 1.4 për qind.

Në planifikimin e investimeve për vitin 2016 rreth 21 miliard lekë janë planifikuar për ndërtim e rikonstruktim rrugësh, 5 miliardë lekë për investime në energji (përveç investimeve të OSHEE) dhe 10 miliard lekë për Fondin e Zhvillimit të Rajoneve. Por edhe pse me ulje investimet nuk po arrihet të realizohen dhe qeveria si për çdo vit edhe në 2016 i shkurtoi fondet e investimeve në mes të vitit.

Kjo situatë përbën vetëm njërën anë të medaljes. Po kaq problematike janë edhe mënyra se si shpenzohen paratë. 10 për qind e investimeve publike të këtij viti është parashikuar të shkojë për blerje pajisjesh, mobilime zyrash si dhe kompjuterë për administratën. Nga 500 milionë dollarë që jep buxheti i shtetit për investime publike çdo institucioni, rreth 50 milionë dollarë do të shkojnë për të lehtësuar punën e nëpunësve dhe ministrive. Këto shpenzime, të cilat llogariten si shpenzime kapitale, në fakt nuk do të shkojnë për të përmirësuar rrugët, ndërtuar shkolla apo spitale, shërbime për të cilat qytetarët kanë vërtetë nevojë. Në listën e gjatë të shpenzimeve shumë para shkojnë edhe për rikonstruksion ndërtesash, siç janë ministria e Arsimit, Planifikimit Urban si edhe nga vetë Kryeministria.

Pin It