KLSH publikon raportin e APPA, më shqetësues borxhi e koncesionet. Borxhi publik në nivel  historik

KLSH_1_0

Situata e borxhit publik, klima e investimeve dhe koncesionet janë shqetësimet më serioze për ekonominë e vendit. Ky është përfundimi i një raporti të publikuar në faqen zyrtare të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe të hartuar nga APPA, një organizatë joqeveritare të rinjsh.

Në skanimin e asaj çka nuk shkon në veprimtarinë shtetërore, në krye të radhës është vendosur borxhi publik. Në raport thuhet se borxhi e ka tejkaluar fashën e “rezistencës” së ekonomisë shqiptare mbi 70 për qind të prodhimit të brendshëm bruto dhe se në fund të vitit 2016, stoku i borxhit publik pritet të arrijë në afro 1.1 trilionë lekë, një rekord historik.

Shqetësim tjetër serioz në analizën e vitit të fundit ka rezultuar të jetë edhe klima e investimeve që sipas audituesve është përkeqësuar

për shkak të egërsisë dhe pabarazisë të së ashtuquajturës fushatë e formalizimit. “Me statistika më shumë dekurajuese se sa inkurajuese, ku vetëm në vitin 2015 u regjistruan pothuajse 3 herë më shumë çështje për falimentim të kompanive krahasuar me vitin 2014, Shqipëria po bëhet gjithnjë e më pak tërheqëse për investitorët e huaj dhe largimet e tyre janë këmbana alarmi për ekonominë shqiptare”, thuhet në raport.

Të tretët në listën e problemeve për ekonominë vendosen Koncesionet dhe Partneriteti Publik Privat. Me shembuj konkretë analizohet situata në këtë sektor e cila identifikohet si zonë me risk të lartë. Probleme të tjera të identifikuara nga raporti janë edhe administrimi i pronave, menaxhimi i fondeve në arsim e shëndetësi, si edhe reformat ligjore.

 

Pin It