Borxhi publik, Ahmetaj: Kursyem 20 mln euro që u përdorën për investime

download-1

Ministri Ahmetaj prezantoi strukturën e borxhit publik para Komisionit Parlamentar të Financave dhe tha se ka filluar ulja e borxhit. Sipas Ahmetajt mirëmenaxhimi i borxhit publik ka sjellë kursimin e rreth 20 milionë eurove, të cilat kanë shkuar për investime publike.

“Qëndrimi ndaj borxhit është sa fiskal edhe politik, është përgjegjshmëri e drejtpërdrejtë politike. Nuk është thjesht qëndrim fiskal është koncept politik, pasi borxhi i lartë përbën risk për ekonominë, financat publike dhe qytetarët”, deklaroi Ahmetaj.

Ahmetaj tha se investitorët kanë shprehur besim tek konsolidimi që kemi vendosur dhe për të cilin po punojmë.

Por opozita përmes deputetit të PD-së, Edmond Spaho, e akuzoi Ahmetajn për shifra të pavërteta për borxhin. Sipas tij, kjo qeveri në tre vite tregoi se është e pa zonja për të mbledhur të ardhura, megjithëse ka rritur me 390 milionë dollarë taksat në këtë periudhë.

“E gjithë rritja e taksave ka shkuar evazion fiskal, cigare, karburant, keqadministrim, e për rrjedhojë është e detyruar të bëjë kufizime në shpenzime, imponuar kjo nga FMN-ja”, deklaroi Spaho.

Deficiti buxhetor për vitin 2017 planifikohet të jetë në nivelin 2.0% të PBB. Për të dytin vit radhazi balanca primare parashikohet të jetë pozitive në nivelin 0.7% duke shënuar nivelin më të lartë në 25 vite. Rrjedhimisht, niveli i borxhit publik të targetuar, do të ulet me rreth 2.7 pikë përqindje dhe do të vijojë këtë trend rënës në periudhën afatmesme dhe afatgjatë. Ligji vjetor i buxhetit 2017 targeton një nivel të borxhit publik total në 69.1% të PBB nga niveli prej 71.8% e PBB i targetuar për vitin 2016.

 

Pin It