FMN: Investimet e huaja në fokus të politikave

“Rimëkëmbja globale po merr një shtysë të re, çmimet e mallrave po ngrihen dhe rreziqet e deflacionit po ulen. Ndërkohë që parashikimet po përmirësohen, rritja ekonomike mbetet modeste dhe subjekt i pasigurive të rritura rreth zhvillimeve politike dhe politikave të ndjekura.”, ishte deklarata e Komitetit Monetar Financiar të FMN-së.

Komiteti mbetet thellësisht i angazhuar për të arritur një rritje ekonomike të fortë, të qëndrueshme, të ekuilibruar, gjithëpërfshirëse dhe të mbështetur mbi punësimin.

Për këtë, ai rekomandon vazhdimin e politikave monetare lehtësuese, zbatimin e politikave fiskale të orientuara drejt rritjes ekonomike, vazhdimin e reformave strukturore të përgatitura sipas nevojave dhe prioriteteve, garantimin e stabilitetit financiar, si dhe rritje ekonomike më gjithëpërfshirëse.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, në të gjitha takimet e  zhvilluara i njohu të pranishmit me zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare, duke u ndalur në perspektivën e rritjes ekonomike si dhe në zhvillimet e sektorit bankar.

Guvernatori Sejko theksoi se rritja ekonomike e vendit është në një trajektore pozitive zhvillimi. Rritja ekonomike pritet të vijë në përmirësim dhe balancat kryesore ekonomike do të forcohen gjatë viteve të ardhshme.

Në lidhje me zhvillimet e fundit në ecurinë e çmimeve të konsumit, Sejko theksoi se ecuria e inflacionit në vlerat aktuale po kthehet gradualisht në nivelin e synuar.

Lidhur me sistemin bankar në vend, Guvernatori Sejko nënvizoi se trajtimi i çështjes së kredive me probleme ka qenë një ndër angazhimet e Bankës së Shqipërisë, i shoqëruar me një plan veprimi të mirëmenduar për reduktimin e tyre. Zbatimi i këtij plani ndihmoi në zbritjen e nivelit të kredive me probleme në rreth 18%.

Më tej, zyrtarët e lartë ndërkombëtarë theksuan se sistemi bankar në Shqipëri është i konsoliduar.  Megjithatë, investimet e huaja duhet të qëndrojnë në fokus të politikave në mënyrë që të kemi një sistem financiar të sigurt dhe të shëndetshëm në afat të gjatë. Gjithashtu, një element i një rëndësie të veçantë për ekonominë, i nënvizuar gjatë diskutimeve nga ana e tyre, ishte vazhdimi i reformave dhe stabiliteti politik i vendit.

Pin It