Gjykata rrëzon kërkesën e PS për pezullimin e dekretit të Presidentit për zgjedhjet në Dibër

 

1149

Zgjedhjet në Bashkinë e Dibrës do të mbahen më 11 shator. Gjykata Administrative rrëzoi kërkesën e Partisë Socialiste për ta pezulluar dekretin e presidentit Nishani. Në vendimin e saj është dhënë argumenti se gjykata vendos mospranimin e padisë, kur padia nuk plotëson kushtet formale të paraqitjes së saj. Është kjo arsyeja që gjykata administrative ka vendosur rrëzimin e kërkesës së PS-së për të pezulluar dekretin e presidentit Nishani, për ditën e zgjedhjeve për kryetar bashkie në Dibër. Partia Socialiste e bëri padinë e saj bazuar në Kodin e Procedurës Administrative, me argumentin se shpallja e datës së zgjedhjeve për Bashkinë e Dibrës para se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të publikohet në Fletoren Zyrtare, shkel Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor gjithashtu.

Presidenti me dekretin e tij të 2 gushtit, përcaktoi datën 11 shator për zgjedhjet në Dibër. Ai e shpalli dekretin pasi një ditë më parë më 1 gusht Gjykata Kushtetuese e quajti të vlefshme procedurën e ndjekur nga qeveria, për shkarkimin e Shukri Xhelilit. Në një konferencë për shtyp Nishani tha se dekreti nuk ka asnjë shkelje, pasi data e zgjedhjeve ishte përcaktuar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, do të ishte shkelje e Kodit Zgjedhor, pritja e botimit të vendimit në Fletoren Zyrtare.

Pin It