Privatizohet INSIG, të ardhurat do të shkojnë për shlyerjen e borxhit dhe Unazën e Madhe

ahmetaj-3-334x200

Kompania e sigurimeve INSIG u privatizua dhe të ardhurat e përftuara do të përdoren për uljen e borxhit publik. Të premten më 27 maj ministri i Financave, Arben Ahmetaj dhe përfaqësuesi i EUROSIG, Kadri Morina, nënshkruan marrëveshjen e kalimit të plotë të aksioneve të INSIG tek grupi Eurosig.

Privatizimi i kompanisë do t’i sjellë buxhetit të shtetit një përfitim prej 2.2 miliardë lekësh, një pjesë e të cilave do të përdoren për shlyerjen e borxhit publik, ndërsa pjesa tjetër do të përdoret për investimet publike.

“Gjysma e shumës së derdhur në buxhet nga privatizimi i INSIG-ut do të përdoret për shlyerjen e borxhit publik dhe pjesa tjetër do të përdoret për financimin e projektit të Unazës së Madhe të Tiranës”, deklaroi ministri Ahmetaj.

Ahmetaj e konsideroi privatizimin e INSIG-ut si një shenjë të besimit që biznesi shqiptar po transmeton te ekonomia vendase. Kompania “Eurosig” u shpall fituese e tenderit të privatizimit të “INSIG” midis tre kompanive shqiptare konkurente.

Pin It