Ministria e Mjedisit: 10 mln lekë për gjelbërimin kombëtar, 1000 trëndafila për Përmetin

permet-albania

Ministria e Mjedisit nisi fushatën e pyllëzimit në Përmet, ku do të mbillen 2 mijë fidanë dru shkurre dhe lule dekorative, prej të cilave 1000 rrënjë trëndafili.

I njohur si “Qyteti i Trëndafilave”, Përmeti tashmë do e përforcojë këtë emërtim falë projektit të Ministrisë së Mjedisit për gjelbërimin e hapësirave publike në qytete të ndryshme të vendit.

Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, mbolli simbolikisht fidanin e parë të këtij projekti në Përmet. Ai falenderoi Bashkinë e Përmetit për bashkëpunimin në fushat e mbrojtjes së mjedisit si trajtimi i mbetjeve dhe menaxhimi i pyjeve. Koka e cilësoi Përmetin si modelin më të mirë të bashkëpunimit të pushtetit vendor me atë qendror.

Ministria e mjedisit ka planifikuar një fond prej 10 milionë lekësh të reja, për gjelbërimin dhe pyllëzimin Kombëtar. Fushata Kombëtare e pyllëzimit, u çel një ditë më parë në Ersekë dhe do të vijojë me qytete të ndryshme të Shqipërisë.

Pin It