MMSR mbështetet nga Zvicra, shkolla ekselence dhe qëndra multifunksionale

blendi-klosi-deklarate

MMSR në bashkëpunim me partnerët e saj ndërkombëtarë ka nisur një sërë projektesh për ndërhyrje në infrastrukturën dhe laboratorët e një pjese të mirë të institucioneve të arsimit dhe formimit profesional në vend, duke i kthyer ato në shkolla ekselence dhe qendra multifunksionale.

Në këtë kuadër është prezantuar në Vlorë projekti “Aftësi për Punë” që ‘Sëisscontact’, me mbështetjen financiare të qeverisë zvicerane, do të zbatojë për transformimin 5 shkollave dhe qendrave të formimit profesional në rrethet Vlorë, Berat dhe Lezhë, në shkolla ekselence dhe qendra multifunksionale.

Të pranishëm në këtë takim ishin ministri i MMSR-së, Blendi Klosi, zëvendësshefi i Misionit të Ambasadës Zvicerane në Tiranë, kreu i Këshillit të Qarkut Vlorë, si dhe drejtues të shkollave profesionale, zyrave të Punës dhe grupe interesi nga rrethet në të cilat do të zbatohet ky projekt.

Në fjalën e tij në mbyllje të këtij takimi, ministri Blendi Klosi vlerësoi ndihmë zvicerane për të mbështetur reformimin e Arsimit dhe Formimit Profesional në vendin tonë dhe për ta kthyer atë në një mundësi reale që garanton punësim për zonat ku dhe do të zbatohet.

Ai kërkoi gjithashtu nga të gjithë aktorët në këtë proces, partnerët zviceranë, pushteti vendor dhe institucionet e arsimit profesional në qendër dhe në bazë në këto tri rrethe, një bashkëpunim konkret dhe të shpejtë, në mënyrë që projekti të nisë nga zbatimi në terren brenda muajit maj, në mënyrë që këto shkolla të jenë gati për sezonin e ri arsimor në muajin shtator.

Por ky do jetë vetëm projekti i parë që MMSR dhe partnerët e saj do të nisin të zbatojnë në kuadër të këtij reformimi rrënjësor të institucioneve të arsimit dhe formimit profesional në vend. Kjo pasi siç bëri të ditur ministri Klosi, do të jenë rreth 15 shkolla dhe qendra të formimit profesional që do të shndërrohen në shkolla ekselence dhe qendra multifunksionale moderne. “Ne jemi tashmë në negociata të vazhdueshme me disa partnerë të ministrisë, ku realisht mbështetja austriake është gjithashtu në fazat e saj përmbyllëse dhe do të përzgjedhë tre nga shkollat tona të hoteleri-turizmit apo që ofrojnë hoteleri-turizëm, duke pasur po ashtu të njëjtën linjë për të mbështetur tri qendra multifunksionale dhe shkolla ekselence.

Po ashtu, edhe me qeverinë italiane për 4 shkolla, 2 shkolla bujqësore në Lushnjë dhe Fier, shkollën ‘Hysen Çela’ në Durrës dhe një shkollë në Shkodër për profilin megatronik. Po të njëjtën mbështetje ne e kemi nga qeveria gjermane me një projekt shumë të rëndësishëm të shkollës së Kamzës, që mund të jetë një nga shkollat më të mëdha në vend. Kemi të njëjtën mundësi bashkëpunimi me qeverinë britanike”, – tha Klosi në fjalën e tij.

 

Pin It