Mynih – Autori i sulmit vuante nga depresioni, i mashtroi viktimat në Facebook

Flowers are placed near the Olympia shopping mall, where yesterday's shooting rampage started, in Munich, Germany, July 23, 2016. REUTERS/Michael Dalder

Policia gjermane po heton për motivin e sulmit në Mynih, ku 18- vjeçari gjermano-iranian, Ali Sonboly, shkaktoi vdekjen e 9 personave dhe plagosjen e 16 të tjerëve në një Fast Food dhe në një qendër tregtare.

Shefi i policisë së Mynihut, Hubertus Andrae, tha në një konferencë për shtyp, se nuk ka të dhëna që mund ta lidhin sulmin me ISIS ose ndonjë organizatë terroriste. Nga hetimet e deritanishme duket se adoleshenti ka vepruar i vetëm, ndërsa motivi nuk është ende i qartë.

Edhe kryeprokurori i Mynihut, Thomas Steinkraus-Koch, thotë se ngjarja është klasike, nuk ka motive politike dhe as lidhje me terrorizmin. Ai mohoi edhe ndonjë dyshim në lidhje me çështjen e refugjatëve. Sonboly është lindur dhe rritur në Gjermani dhe nuk ka patur më herët precedentë penalë, prandaj edhe është i panjohur për policinë.

Adoleshenti mendohet të ketë përdorur një profil të rremë në Facebook për të tërhequr viktimat në vendngjarje, përmes ofertave mashtruese për ushqim falas vetëm disa orë para ngjarjes. Viktimat janë kryesisht të rinj nën 21 vjeç.

Policia thotë se ka një ngjashmëri midis këtij rasti dhe sulmit të Andrei Breivik në Norvegji në vitin 2011. Në banesën e autorit u gjetën libra dhe gazeta me përmbajtje të dyshimtë, midis të cilëve një libër për “zemërimin e të shtënave” dhe disa artikuj me titull “Pse vrasin studentët?”.

Sonboly vuante nga depresioni dhe merrte trajtim nga një psikiatër. Ai jetonte me prindërit në Mynih, në një apartament rreth 2 milje larg nga vendi i sulmit. Familjarët dhe fqinjët thonë se ai ishte një tip i qetë dhe shprehen të tronditur nga ngjarja. Ndërsa gazeta britanike “Telegraph.co.uk” shkruan se autori i sulmit ankohej, se është keqtrajtuar dhe fyer për shtatë vjet.

Esshtë e çuditshme se si Sonboly ishte i armatosur në një nga qytetet më të sigurta të Europës. Policia njoftoi se ai ishte i pajisur me pistoletë Glock, 9mm dhe se me vete mbante 300 fishekë. Autoritetet njoftojnë se Ali David Sonboly vrau veten në fund të sulmit.

Pin It