Namazi i Teravive

Fjala Teravih është shumësi i fjalës arabe “terviha” dhe ka kuptim “të pushosh, apo të qetësohesh”. Gjatë muajit të Ramazanit, pas namazit të jacisë, ulja në teshehud pas çdo katër rekateve është quajtur terviha, ku më vonë shumësi i kësaj fjale i njohur me emrin Teravih, ka marrë emrin e namazit shtesë që falet në netët e Ramazanit.

Teravitë janë synet muekkede, të forta. Është synet për muajin e Ramazanit, për meshkujt dhe për femrat, dhe nuk ka të bëjë me agjërimin. Namazi i teravive ka 20 rekate, që falen pas namazit të jacisë dhe para namazit të vitrit. Falja e teravive me xhemat është kifai sunet. Teravitë falen me 10 selame dhe ndërmjet tyre bëhen 5 pushime të shkurtra. Pra, jepet selam në çdo dy rekatë dhe pushohet në çdo katër rekate, por mund të falen edhe me katër rekate. Pas pushimit të pestë plotësohet edhe falja e vitrit me xhemat. Profeti (a.s.) përveç disa netëve, teravitë i ka falur vetëm dhe për t’i motivuar sahabët në faljen e tyre, ka thënë: “Kush e fal namazin e Ramazanit (teravisë) duke shpresuar tek Allahu, atij do t’i falen të gjitha gjynahet e bëra më parë.” [1]

Transmetimi që flet për praktikën e teravive nga Profeti (a.s.), është i tillë: Profeti ynë në muajin e Ramazanit kishte përgatitur një dhomë të shtruar me rrogozë për të bërë itikaf në xhaminë e tij. Disa netë në 10 ditët e fundit të Ramazanit, është bashkuar me xhematin duke dalë për të falur namazin e jacisë dhe të teravisë. Një natë kur pa interesimin e madh të njerëzve, fali vetëm namazin e jacisë dhe u fut në dhomën e tij, duke mos e plotësuar teravinë me ta. Me shpresë se do të dalë sërish, njerëzit e pritën aty, madje disa prej tyre duke menduar se ai po flinte kishin filluar të kolliteshin me qëllim që ai të zgjohej. Profeti (a.s.) kishte dalë nga dhoma dhe u kishte thënë këto fjalë: “Unë e di dëshirën tuaj për të falur teravitë. Dhe nuk kam asnjë pengesë për ta falur këtë namaz bashkë me ju. Por, nga frika se mos teravitë do të bëhen farz për ju, nuk dola t’i fal ato. Po qe se ju bëhet farz, ju nuk do të mund ta zbatoni. Tani shpërndahuni! Përveç farzeve, namazet më me vlerë janë ato të falura në shtëpitë tuaja”. [2]

Po ashtu, Profeti (a.s.) për rëndësinë e faljes së teravive dhe të qenurit sunet të tyre, është shprehur: “Allahu jua ka bërë farz agjërimin në muajin e Ramazanit. Ndërsa unë ju motivova që netëve të Ramazanit të falni namazin e teravive si synetin tim. Kush agjëron me sinqeritet dhe duke besuar e pritur sevapet e Allahut si dhe duke falur namazin e teravisë, pastrohet nga mëkatet si të kishte lindur sot nga nëna e tij.” [3]

Sipas Hanefive [4], Shafive [5] dhe Hanbelive[6] namazi i teravive është me 20 rekate.[7] Ndërsa Malikitë kanë mendimin se teravitë janë me 20 ose 36 rekate. Por sipas disa librave të këtij medhhebi teravitë pranohen me 20 rekate.[8] Imami më i rëndësishëm i medhhebit Shafi, Imam Neveviu, ka thënë se namazi i teravisë mbështetur në konsensusin e dijetarëve islamë, është me 20 rekate dhe është synet.[9]

 


[1] Buhari, Salatu’t-teravih, 1; Muslim, Salatu’l-musafirin, 174.

[2] Buhari, Salatu’t-teravih 2; Muslim, Salatu’l-musafirin, 178.

[3] Nesai, Sijam, 40, Ibn Maxhe, Ikame, 173; Ahmed b. Hanbel, Musned, 1/191

[4] Serahsi, Mebsut, 2/144; Ibn Abidin, Reddu’l-Muhtar, 2/45; el-Mevsuatu’l-Fikhije, 27/141.

[5] Shihabuddin er-Remli, Nihajetu’l-Muhtaxh, 2/126

[6] Buhuti, Keshafu’l-Gina, 1/425; Ibn Kudame, Mugni, 1/834

[7] Ibn Abdi’l-Berr, et-Temhid, VIII/113.

[8] Desûki, Hashije ale-Sherhil-Kebir, 1/503. shih:Hafidh Ibn Rushd, Bidajetu’l-Muxhtehid, 1/166.

[9] Nevevi, Mexhmû, IV/37

 

Burimi: islami.al

Pin It