Një ditë e një myslimani

Nëse do flisnim sesi duhet ta kalojë një ditë të zakonshme një mysliman, duhet ta fillonim nga zgjimi. Në një hadith të transmetuar në dy librat e saktë të haditheve të Buhariut e Muslimit, Profeti (s.a.s) ka thënë: “Popullit tim i është dhënë bereqet në mëngjes herët”, gjithashtu në një tjetër hadith Profeti (s.a.s) ka thënë: “Dy rekate sunet të sabahut janë më të mira se dynjaja dhe çka ka mbi të” (Muslimi). Ndërsa në Kur’anin Famëlartë, Allahu i Madhëruar thotë: “Fale namazin kur zbret (nga zeniti) dielli, e deri në errësirën e natës dhe duke bërë lutjen (namazin) e agimit” [Surja Isra, 78].

Pra besimtari duhet ta nisë ditën herët dhe të pasur më përkujtimin e adhurimin e Allahut, për t’i mundësuar vetes nisjen e një ditë të bereqetshme dhe të mbushur me mirësitë e Zotit. Më e preferueshmja është që dita të nisë ashtu siç e niste dhe i dërguari i  Zotit, duke lexuar lutjet e mëngjesit dhe leximin e Kur’anit.

Pavarësisht rutinës së përditshmërisë, besimtari duhet të gjejë kohë dhjetë minuta për të përkujtuar Allahun e për ta falenderuar për çdo nyje të trupit në namazin e Duhasë. Duhet të tregohet i kujdesshëm në faljen e sunneteve te secilit namaz, dhe t’i pasojë namazet më dua e përmendje të Allahut me emrat e Tij më të bukur.

Në fund të ditës besimtari me namazin e mbrëmjes, duhet ta përkujtojë Allahun sërish me lutje nga lutjet e Profetit (s.a.s), që njihen si lutje të mbrëmjes. Përveç përkujtmit lutjet e mbrëmjes janë më shumë si falenderim ndaj Allahut. Në Kuranin Famëlartë Allahu thotë: “O ju që besuat, përkujtoni Allahun sa më shpesh. Dhe madhërojeni Atë mëngjes e mbrëmje. Ai ju mëshiron juve e edhe engjëjt e Tij, e për t’ju nxjerrë juve prej errësirave në dritë dhe Ai ndaj besimtarëve është shumë mëshirues”. [Surja Ahzab: 41- 43].

E pasi ka kryer dhe faljen e darkës, besimtari duhet të ndriçojë zemrën e tij me ajete nga Kur’ani dhe namazit të natës.

Pin It