Ndahet nga jeta Mjeshtri i Madh, Rexhep Çeliku

Në orët e para të mëngjesit të sotëm ka ndërruar jetë mjeshtri i madh i valles shqipe, Rexhep Çeliku, solisti i parë i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore. Çeliku vuante nga një sëmundje e rëndë  prej një kohe të gjatë. Jo më larg se dy ditë më parë, ai u vlerësua me dekoratën “Nderi i Kombit” nga Presidenti, Ilr Meta. Kur mori dekoratën ai tha: “Ky vlerësim është shumë i vlefshëm jo vetëm për mua, por për të gjithë kolektivin, me të cilin kemi pasur nderin të punojmë.”

Rexhep Çeliku, lindur me 19 korrik 1954 në Tiranë, i cili që nga viti 1976 është solist i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, numëron në repertorin e tij artistik rreth 8 mijë shfaqje, ku ka interpretuar 32 mijë role brenda dhe jashtë vendit. Ai është nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh”, akorduar nga Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, me motivacionin “për interpretim me nivel të lartë artistik të të gjitha valleve shqiptare dhe transmetimin e saj duke ruajtur origjinalitetin”.

Pin It