Sot i jepet lamtumira e fundit “Valltarit Fluturues”, Rexhep Çeliku, i ndarë nga jeta një ditë më parë pas një sëmundje të rëndë. Homazhet për Mjeshtrin e Madh të skenës Rexhep Çeliku do të zhvillohen sot në Muzeun Historik Kombëtar nga ora 11:00 – 13:00. Më pas, ai do të përcillet për në banesën e fundit.
Korifeu i skenës shqiptare, “shqiponja e valles”, “Nderi i Kombit” Rexhep Çeliku ndërroi jetë në orët e para të së premtes të 12 janarit 2018 nga një sëmundje e rëndë. Katër ditë më parë ai u dekorua nga Presidenti Ilir Meta me dekoratën “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të jashtëzakonshëm si solist me nivel të lartë dhe mjeshtëri të veçantë artistike në interpretimin e valleve shqiptare; për promovimin denjësisht të vlerave të mirëfillta të trashëgimisë sonë kulturore kombëtare brenda dhe jashtë vendit, si dhe për pasurimin e fondit të krijimtarisë koreografike dhe përçimin e tij tek brezat e artistëve të rinj”