Homazhe për H. Selim Muçën, besimtarë myslimanë dhe personalitete nderojnë ish-kreun e KMSH-së

zk1a3912

Selim Muça, kryetar nderi i Komunitetit Mysliman dhe ish kryetar për një dekadë është përcjellë sot për në botën e amshuar.

Në shenjë respekti e vlerësimi për personalitetin e tij, Komuniteti Mysliman, familjarë të familjes Muça, personalitete të jetës publike, miq dhe besimtarë të shumtë kanë nderuar Selim Muçën me homazhe të mbajtura në Medresenë e Tiranës.

Presidenti i Republikës, Kryeministri, ministri i Punëve të Jashtme dhe kryebashkiaku i Tiranës kanë përcjellë ngushëllimet e tyre nëpërmjet përfaqësuesve respektivë.

Pjesë të homazheve u bënë edhe drejtues të komuniteteve fetare, Kreu i Kishës ortodokse Anastas Janullatos, përfaqësues nga Kisha Katolike, z. George Frendo dhe Don Henry, përfaqësues të Kryegjyshatës së Bektashinjve dhe përfaqësues të vëllazërisë ungjillore shqiptare.

Gjithashtu bënë homazhe kryetari i Bashkësisë Islame të Maqedonisë Sulejman ef. Rexhepi dhe përfaqësues nga Bashkesia Islame e Kosovës.

Gjatë homazheve në Medresenë e Tiranës kreu i KMSH-së, Skender Bruçaj tha se Selim Muça ishte ndër investitorët kryesorë të bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare, besonte tek rinia dhe ishte një njeri i butë.

“Gjatë drejtimit të institucionit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë për 10 vite me radhë, ishte ndër investitorët kryesorë të bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare. Me urtësinë dhe butësinë e tij arriti të fitonte shumë miq, të niste shumë projekte, të startonte shumë objektiva që u përkthyen tani në institucionalizimin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë jo vetëm me hapjen e xhamive të reja, por njëkohësisht me hapjen e Medreseve, shkollave. Ai besonte fort se e ardhmja e një kombi varet tek edukimi i brezave të rinj, duke u ushqyer edhe shpirtërisht, por edhe mendërisht. Zoti e mëshiroftë!

Presidenti i Republikës së Shqipërisë përmes një mesazhi ngushëllues vlerësoi kontributin e pazëvendësueshëm të Selim Muçës për ndriçimin e rrugës së besimit të besimtarëve gjatë të gjithë jetës së tij, duke zënë vend në mesin e personaliteteve më të shquara të vendit tonë që kanë kontribuar për fe e për atdhe.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, përmes një telegrami ngushëllimi vlerësoi kontributin e Haxhi Selim Muçës duke u shprehur se ai ishte një nga pionierët që punuan fort dhe me përkushtim për ringritjen e besimit në Shqipëri.

Kryeministri Rama shprehu ngushëllimit në facebook, ku shkroi se Selim Muça e udhëhoqi Komunitetin Mysliman Shqiptar me urtësinë e kthjelltësinë e një lideri të butë, por të vendosur në mbrojtje të thesarit të bashkëjetesës harmonike mes feve.

Ndërkohë kryetari i PD-së, Lulzim Basha, tha se modeli i Selim Muçës, i përulësisë, i shërbimit ndaj njerëzve, i besimit te pastër, i dashurisë dhe mirësisë, është një vlere e gjalle për te cilin ka shume nevoje vendi ynë.

Edhe kryegjyshi botëror i bektashinjve, Baba Edmond Brahimaj, tha se largimi i Selim Muçës nga kjo jetë është një pikëllim i madh për myslimanët e Shqipërisë, pasi ai punoi për një islam të paqes dhe për ndërtimin e qytetarisë së dashurisë.

Gjithashtu Kryetari i Bashkësisë Islame të Maqedonisë, z. Rexhep Sulejmani dhe përfaqësues të Bashkësisë Islame të Kosovës vlerësuan kontributin e H. Selim Muçës në krye të KMSH-së.

Pas homazheve është falur namazi i xhenazes nga Kryetari i KMSH-së, H. Skender Bruçaj.

Ndërsa Myftiu i Tiranës, z. Ylli Gurra bëri duanë (lutjen) pas namazit të xhenazes.

Trupi i H. Selim Muçës u përcoll për në varrezat e Shtish Tufinës shoqëruar nga një grup i madh njerëzish. Edhe aty u kënduan pjesë nga Kur’ani Fisnik dhe u bënë lutje për mëshirë e falje nga Zoti për njeriun që dha një kontribut të çmuar në Komunitetin Mysliman dhe shoqërinë shqiptare.

Komuniteti Mysliman, kolegët e tij të rinj e të vjetër, nxënësit e tij, njohës të tij nga e gjithë Shqipëria, do ta kujtojnë H. Selim Muçën, si një besimtar të devotshëm, njeri i urtë, mik i mirë, familjar shembullor dhe kontribues i madh i rimëkëmbjes së KMSH në frymën e respektit, harmonisë, dialogut dhe tolerancës.

Zotin e lusim t’i dhurojë atij si shpërblim Xhenetin dhe të prehet i qetë atje ku është!

zk1a3887     zk1a4157zk1a4081 zk1a4008zk1a4244zk1a4085 zk1a4119  zk1a4017zk1a4050zk1a4283 zk1a4388

Pin It