Rreth 77 000 refugjatë ndodhen të bllokuar në Evropën Juglindore që prej mbylljes së rrugëve për në Europë në fillim të vitit. Të dhënat iu referohen autoriteteve gjermane të sigurisë, të cilat raportojnë edhe numrin e emigrantëve në shtete të ndryshme.
“Vetëm në Greqi ka rreth 62 000 refugjatë, ku 15 000 prej të cilëve janë në ishujt e detit Egje”, shkruan gazeta gjermane “Bild”. Në Serbi numri i azilkërkuesve në përpjekje për të arritur Evropën Perëndimore u rrit në 6 300 persona krahasuar me vetëm 2 000 të tillë në fund të qershorit.
Pjesa më e madhe e refugjatëve po presin për një mundësi që të kalojnë kufirin në Kroaci apo Hungari. Shumë emigrantë të tjerë kanë arritur të kalojnë edhe kufijtë e mbyllur për të lëvizur drejt Europës Perëndimore.
“Pavarësisht se vendet e Ballkanit dhe Austria mbyllën kufijtë në mes të shkurtit, rreth 50 000 njerëz kanë mundur të mbërrijnë në Gjermani”, tha në shtator kancelari austriak, Christian Kern.