Ndërkombëtarët urojnë për reformën: Nisni zbatimin menjëherë

federica-mogherini-and-johannes-hahn

Pas miratimit të reformës në drejtësi nga Kuvendi i Shqipërisë ndërkombëtarët shprehën përgëzimet e tyre, si dhe kërkuan zbatimin e saj të menjëhershëm.

Në një deklaratë të përbashkët të tyre shefja e delegacionit të BE-së, Federica Mogherini, dhe Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn, thanë se reforma e shumëkërkuar është një kontribut i madh në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ata theksuan se këto janë prioritetet e Shqipërisë në rrugën e integrimit, prandaj duhet të nisë zbatimi i menjëhershëm i reformës.

“Tani është e rëndësishme që zbatimi i reformës të nisë menjëherë, me qëllim që popullit shqiptar t’i shërbejë një sistem gjyqësor i bazuar në mënyrë të vendosur në standardet evropiane”, – thuhet në deklaratën e përbashkët të Hahn dhe Mogherini.

Po ashtu edhe OSBE ka dalë me një deklaratë për shtyp në të cilën vlerëson miratimin e reformës si një hap drejt reformimit të sektorit të drejtësisë.

“Mënyra se si do të zbatohet paketa e reformës është thelbësore për qëndrueshmërinë dhe suksesin e procesit të reformës. Qëndrueshmëria dhe suksesi, gjithashtu, varen nga ndryshimi i sjelljes: nga vendosja e një kulture përgjegjshmërie dhe llogaridhënieje, lufta kundër pandëshkueshmërisë dhe konsolidimi i respektimit të shtetit të së drejtës, në të gjitha shtresat e shoqërisë”, – thuhet në njoftimin e OSBE-së.

OSBE thekson se reforma do të cilësohet e realizuar vetëm atëherë kur këtë gjë ta ndiejnë qytetarët shqiptarë në jetën e tyre të përditshme.

Pin It