Nën Sekretari i shtetit Italian për çështjet evropiane: jo tela me gjemba për emigrantët

kriza

“Telat me gjemba dhe muret e larta nuk janë zgjidhja e duhur për të frenuar emigrantët” kështu ka deklaruar nën sekretari pranë shtetit italian për çështjet e Evropës Sandro Gozi, në një takim me ministrin e jashtëm Ditmir Bushati ditën e sotme.

Gozi: “Sfida e refugjatëve duhet zgjidhur me një përgjigje që nuk duhet të jenë telat me gjemba apo muret e larta, pasi një politike e tillë është mohim i identitetit europian. Ndaj duhen politika të reja për përballimin e krizës”

Nga ana tjetër shefi i diplomacisë tonë Bushati u shpreh se problemet e vendeve të Bashkimit Europian kanë nxjerrë në plan të dytë zgjerimin, proces për të cilin shefi i diplomacisë shqiptare, theksoi nevojën për një qasje të re ndaj vendeve të Ballkanit.

Bushati: “Kemi një qasje më të esëllt sa i përket procesit të zgjerimit që tek vendet tona përkthehet si një proces fiziologjik për shtet ndërtim demokratik dhe përmirësim të parametrave ekonomik. Ndoshta ka nevojë për një moment më të madh reflektimi dhe frymëmarrje për të kuptuar rëndësinë edhe gjeostrategjike të Ballkanit Perëndimor”.

Gjithashtu zyrtari i lartë Italian pati një takim të veçantë edhe me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, ku diskutuan për ecurinë e prioritete të integrimit europian të Shqipërisë dhe bashkëpunimit mes dy vendeve.

Gozi u prit në takim dhe nga Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, e cila theksoi nevojën e konsensusit për reformën në drejtësi, me miratimin e të cilës Shqipëria pret një rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave me BE

Pin It