Nënshkruhet programi i bashkëpunimit kulturor Shqipëri-Kroaci

Shqipëria dhe Kroacia do të bashkëpunojnë në fushat e kulturës, arsimit dhe shkencës për tre vjetët e ardhshëm. Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Mirela Kumbaro dhe ministri i Kulturës i Kroacisë Zlatko Hasanbegoviç nënshkruan të shtunën më 18 qershor programin e dypalshëm bashkëpunues për periudhën 2016-2019.

Programi parashikon bashkëpunimin midis institucioneve, shoqatave dhe ekspertëve të fushave kulturore, shkencore e artistike të dy vendeve, duke u fokusuar në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe ndalimin e piraterisë. Pjesë e këtij programi jane gjithashtu shkëmbimet e ekspozitave, filmave, baletit, muzikës operistike, teatrit, artit modern dhe workshop-eve.

Gjithashtu bashkëpunimi do të nxisë shkrimtarët dhe shtëpitë botuese për të njohur letërsinë e sotme shqiptare dhe kroate, studimet historike dhe albanologjike.

“Shpresojmë që institucionet dhe artistët të përfitojnë prej tij”, tha ministri kroat, Zlatko Hasanbegoviç.

Ministrja Kumbaro vlerësoi programin si detyrë të qeverisë për të mbështetur pavarësinë dhe zhvillimin e kulturës.

“Ky program është një instrument i fuqishëm për të mbështetur njerëzit e artit dhe kulturës dhe për t’u njohur edhe më shumë mes njëri-tjetrit, përmes kulturës”, – tha ajo.

Pin It