Pabarazia sociale, ekonomia duhet të ristrukturohet duke mbrojtur interesat e të gjithë njerëzve   

Norma e varfërisë në Shqipëri është 14.3%, duke e bërë vendin ndër më të varfërit në Europë. Sipas Thomas Pogge, profesor i Filozofisë dhe Çështjeve Ndërkombëtare në Universitetin e Jalës, niveli i ulët i jetesës pengon jo vetëm zhvillimin ekonomik, por edhe atë social, juridik dhe politik të një shoqërie.

Pogge, i cili është një nga ekspertët më të njohur për çështjet e urisë dhe të drejtave të njeriut në botë, ka teorinë e tij për drejtësinë sociale, sipas së cilës të gjithë jemi përgjegjës për pabarazinë ekonomike. Ai thotë se ekonomia dhe tregjet duhet të strukturohen më drejtë sipas rregullave që mbajnë parasysh nevojat dhe interesat e barabarta të të gjithë qënieve njerëzore.

Thomas Pogge ishte në Tiranë për të marrë pjesë në edicionin e katërt të Terra Madre Balkans dhe shpjegoi pikëpamjet e tij mbi ekonominë dhe drejtësinë sociale gjatë një interviste për “Monitor”.

Në këtë intervistë Pogge tha se njerëzit e kanë organizuar botën njerëzore në mënyrë të atillë që miliarda njerëz jetojnë në kushte varfërie, në kequshqyerje, pa ujë dhe strehim, kujdes shëndetësor, arsim etj.

“Ne mund të jemi të përfshirë në një krim masiv kundër të varfërve, me qëllim organizimin e ekonomisë botërore në avantazhin tonë dhe që kjo gjendje të vazhdojë,” – shprehet Thomas Pogge.

Gjysma e njerëzve të cilët jetojnë në varfëri të plotë zotërojnë vetëm 0.6% të popullsisë botërore, aq sa kanë 62 miliarderët kryesorë në botë.

Ndërsa për vendin tonë konkretisht, Pogge sugjeron që ekonomia shqiptare t’i japë më shumë mundësi fermerëve dhe bujqësisë, në mënyrë që ata të rrisin të ardhurat e tyre duke prodhuar ushqime të shëndetshme dhe duke u kujdesur për natyrën. Sepse lidhja mes ekonomisë dhe drejtësisë sociale është empirike.

“Ato vende ku të drejtat ekonomike janë në rrezik (të varfra) kanë gjithashtu tendencë për të mos pasur qasje të sigurt ndaj të drejtave sociale (p.sh., të arsimit dhe kujdesit shëndetësor), dhe madje edhe ndaj gjyqësorit dhe sistemit politik”, – thotë eksperti Pogge.

Teoria e Thomas Pogge përmban një sërë propozimesh dhe reformash të shprehura më poshtë:

– E drejta e pronësisë intelektuale (e cila ka tendencë për të përjashtuar njerëzit e varfër nga ilaçet e avancuara, bujqësia dhe arsimimi inovativ dhe i “gjelbër” inovacione dhe arsim);

– Pjesa e errët e parajsave fiskale, juridiksioneve sekrete, kompanitë fantazmë, bankierët e korruptuar, planifikuesit, lobistët etj. Pjesa më e madhe e tyre u ekspozuan në Panama Papers. Këtu fshihen sasi të madhe pasurish të pataksuara. Këto parajsa i lejojnë kompanitë ndërkombëtare që të shpëtojnë fitimet e tyre dhe të lehtësojnë tregtinë e fshehtë të qenieve njerëzore, drogës dhe armëve të rrezikshme.

-Nevoja për një regjim të rreptë ligjor për të ulur emetimet e gazit. Të gjitha vendet duhet të ndjekin të njëjtën rrugë për të ulur emetimet e dioksidit të karbonit, për të shkuar në nivelin jo më shumë se 5 tonë CO2 në vit dhe uljen gjatë viteve pasardhëse në 4.7, 4,4 e kështu me radhë.

-Reduktimi i barrierave proteksioniste (shpjeg. importet bujqësore). Vendet e pasura duhet të paguajnë kompensim kur ata shkatërrojnë mundësitë e eksportit të vendeve të varfra përmes tarifave, kuotave, detyrimeve anti-dumping, kredive për eksport dhe subvencioneve.

-Standarde uniformë minimale të punës në rang botëror për t’i dhënë fund garës që bëhet në nivelin e poshtëm të piramidës.

-Legjitimiteti i kredive për blerjen e burimeve natyrore nga vende të ndryshme tek ato me qeverisje minimale demokratike.

Pin It