Nxitimi dëmton produktivitetin në punë

Produktiviteti i punës dëmtohet nga nxitimi për ta kryer atë të paktën po aq sa nga zvarritja. Mendimi për të përfunduar një detyrë brenda afatit të caktuar sjell shpesh ngutjen për ta bërë punën sa më shpejt, thjesht për ta lehtëesuar veten tonë prej saj.

Por nxitimi në përmbushjen e detyrave i ngjan shprehjes “rruga e shkurtër të nxjerr më gjatë”, pasi puna e pakujdesshme shkakton shumë gabime, të cilat marrin edhe më tepër kohë për t’u rregulluar. Kjo përkthehet në më shumë kohë të shpenzuar, më shumë energji të harxhuar dhe më pak punë të realizuara.

Në vend të saj, përqëndrimi në kryerjen e detyrës së duhur në mënyrën e duhur, duke i dhënë sasinë e nevojshme të kohës, do të mundësojë arritjen e efikasitetit në punë.

Një tjetër pikë e rëndësishme në kryerjen e detyrave është mbajtja e një liste dhe përmbushja e saj sipas rëndësisë. Ndodh shpesh që dita e punës shkon e gjitha me disa detyra të vogla dhe të parëndësishme, ndërsa qëllimet ditore mbeten pa u përmbushur.

Për një ditë pune me produktivitet të lartë duhet që punët të bëhen sipas radhës për nga rëndësia, duke ndarë pak kohë për detyrat e vogla dhe më shumë kohë për projektet dhe detyrat me rëndësi.

Pin It