Nikolla: Më shumë vëmendje ndaj rolit të mësuesit

Këtë vit shkollor Ministria e Arsimit dhe e Sportit do i kushtojë më shumë vëmendje mësuesve, për të vlerësuar punën e përditshme të tyre.

Gjatë një vizitë në shkollën 9-vjeçare “Avni Rustemi” në Tiranë, ministrja Lindita Nikolla tha se ky vit shkollor do iu dedikohet mësuesve. Në takimin e zhvilluar me prindër të nxënësve të kësaj shkolle Nikolla theksoi rëndësinë e punës së mësuesve në edukimin e fëmijëve.

“Asnjëherë nuk është e mjaftueshme vëmendja që qeveria, opinioni dhe të gjithë ne duhet të kemi tek mësuesi. Prindërit hap pas hapi do të kenë mundësi të shohin sesi në duart e fëmijëve të tyre janë tekstet më të mira të cilat vinë nga Oxford Pearson dhe Cambridge që janë shtëpitë më prestigjoze të tekstit shkollor, krahas dhe teksteve të autorëve më të mirë shqiptarë”, u shpreh Nikolla.

Ministrja solli në vëmendje edhe rëndësinë e bashkëpunimit mes prindërve dhe mësuesve, i cili ndikon shumë në përmirësimin e sistemit arsimor. Nikolla tha se ajo do të zhvillojë rregullisht takime me prindër në shkolla të ndryshme në të gjithë Shqipërinë.

Pin It