Nishani: Do mbledh Këshillin e Sigurisë për të luftuar drogën dhe krimin e organizuar

presidenti-nishani-mbledhja-e-ksk

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, deklaroi se do të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për çështjen e kultivimit të kanabisit në vend. Nishani tha se duhen marrë sa më shpejt masat e duhura për të ndaluar këtë fenomen që ka përfshirë të gjitha fushat.

“Kanabisi sjell krim dhe largon qytetarin nga rruga e pastër, – u shpreh Nishani, – ndaj është e domosdoshme të thërras sa më shpejt Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Krimi nuk lindi dje, por sot dhe po ecën me hapa të shpejtë. Krimi i organizuar ka ndërhyrë edhe në politikë, ekonomi dhe media. Ka shumë padrejtësi në sistemin e drejtësisë. Është krijuar një rreth që mbyt Shqipërinë ngadalë”.

Presidenti i bëri këto deklarata gjatë një leksioni të hapur në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, ku ngriti shqetësimin mbi nivelin e lartë të korrupsionit në vendin tonë, duke nënvizuar se po dëmton Shqipërinë.

Në Këshillin e Sigurisë Kombëtare bëjnë pjesë veç presidentit, kryeministri Rama, kreu i Kuvendit Meta, ministri i Brendshëm Tahiri, kryeprokurori Llalla, kreu i SHISH Visho Ajazi, ministri i Drejtësisë Manjani, ai i Jashtëm Bushati, ministrja e Mbrojtjes Kodheli, ai i Financave Ahmetaj si dhe kreu i opozitës, Lulzim Basha.

 

Pin It