Arsimi profesional alternativë për më të mirët, jo lëmoshë për të humburit

Businessman, builder, nurse, architect. Isolated over white background

Kryeministri Edi Rama mori pjesë të martën në tryezën me temë “Arsimi profesional, sfidat dhe cilësia”, ku ai vlerësoi arritjet në këtë fushë. Rama tha se arsimi profesional është tashmë një mundësi për më të mirët dhe jo një lëmoshë për të humburit.

Ai theksoi efikasitetin e modelit gjerman në këtë fushë dhe tha se numri i nxënësve është rritur me 10 mijë brenda vitit duke arritur në 27 mijë.

“Duke u mbështetur mbi modelin gjerman, ne kemi arritur që të realizojmë një kthesë shumë të rëndësishme në një rrugë që mbetet shumë e gjatë. Nëse arsimi profesional nuk do ishte braktisur 25 vite më parë sot në të gjitha ndërmarrjet nuk do kishte vende të lira pune që nuk mbushen dot për shkak të mungesës së krahut të kualifikuar të punës”, tha Rama.

Ai theksoi se për këto arsye diversifikimi i zgjedhjeve mes universiteteve dhe arsimit profesional duhet të bëhet edhe më i natyrshëm.

“Atyre që marrin rrugën e këtij arsimimi i duhet thënë se nuk është një rrugë që ka një fund, por është një rrugë që ka mundësi të pafundme për t’u vetëpunësuar, për të hapur një biznes të vogël apo një sipërmarrje të mesme dhe të madhe,” tha kryeministri.

Ndërsa ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi tha se arsimi profesional ndihmon në formimin e një klase të mesme ekonomike.

 

Pin It