Rritet çmimi i gazit për mjetet, tregtarët abuzojnë edhe me përdoruesit familjarë

gas-pump_istock

Gjatë ditëve të fundit çmimi i gazit për automjetet është rritur sërish për të tretën herë që nga fillimi i janarit të vitit 2017.

Në pikat e tregtimit të naftës dhe gazit për automjete, një litër gaz tregtohet me 67­-74 lekë/litër, ndërsa në fund të vitit të kaluar çmimi i tij luhatej mes 40­-48 lekëve, pra më një rritje rreth 50­-60%.

Sipas operatorëve të tregut rritja reflekton vendosjen e akcizës së gazit, me rreth 10 lekë për litër (8 lekë akciza e gazit, plus TVSH). Rritja e parë u shënua në ditët e para të vitit, më pas u shënuan dhe dy rritje të tjera, gjatë periudhës së ngricave dhe më e fundit javën e kaluar, duke e çuar rritjen totale në 26­-30 lekë për litër, pra me gati trefishin e taksës.

Kjo rritje është gjithashtu pasojë e rritjes së çmimit në bursat ndërkombëtare.

Tregu po abuzon me rritjen e taksave, duke rritur çmimin e gazit edhe për përdoruesit familjarë me minimum 20 lekë për litër, pavarësisht se paketa e re fiskale nuk parashikon një gjë të tillë.

Autoriteti i Konkurrencës ka hapur në janar hetimin paraprak në të gjitha segmentet e tregut të importit, depozitimit, shitjes me shumicë, shpërndarjes dhe shitjes me pakicë të produktit gaz i lëngshëm për konsum familjar dhe biznes, për të parë nëse ka, ose jo shenja të kufizimit të konkurrencës.

 

Pin It