Buxheti për Mbrojtjen, Nishani: I pamjaftueshëm, Ministria: Në përputhje me objektivat

parada-ushtarake-7fotoa1

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, e ka cilësuar buxhetin e vitit 2017 për Ministrinë e Mbrojtjes si të pamjaftueshëm. Nishani i është drejtuar Kuvendit me një letër zyrtare në të cilën thotë se ky buxhet është me i ulëti i parashikuar për mbrojtjen që prej vitit 1999.

Sipas Presidentit projektbuxheti nuk është në përputhje me ligjin për Zhvillimin e Forcave të Armatosura, synimin kombëtar sipas NATOs dhe Strategjinë për Sigurinë Kombëtare. Prandaj ai ka kërkuar rritjen e buxhetit për mbrojtjen për vitin 2017 me jo më pak se 1 % të PBB-së.

“Draft-buxhetin e mbrojtjes për vitin 2017, e gjej në shkelje të ligjeve mbi Planin Afatgjatë të Zhvillimit (PAZH 2016-2025) të Forcave të Armatosura, objektivave strategjike kombëtare të përcaktuara në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare (SSK), në Strategjinë Ushtarake (SU), dokumente këto të miratuara në Kuvend si dhe me rekomandimet e Dokumentit të Rishikimit të Mbrojtjes, i realizuar me mbështetjen e Qeverisë së SHBA-së”, thuhet në letrën e Presidentit.

Nga ana tjetër, përmes një njoftimi publik, Ministria e Mbrojtjes ka deklaruar se buxheti i planifikuar për këtë institucion është i mjaftueshëm dhe nuk cënon asnjë marrëveshje me ndërkombëtarët apo NATOn.

“Buxheti i planifikuar për vitin 2017 përfaqëson 1.1 % të prodhimit të brendshëm bruto, ku përfshihen fondi i pagave dhe pensioneve, shpenzime për misione, investime, pensione të ish-ushtarakëve. Ky buxhet në asnjë rast nuk prek arritjen e objektivave tona në fushën e mbrojtjes dhe aq më pak detyrimet kushtetuese dhe angazhimet në NATO”, njofton Ministria e Mbrojtjes e cila thekson se ky institucion i ka të gjitha kapacitet për të hartuar buxhetin e saj pa u këshilluar me Presidentin.

http://www.spektrum.al/ministria-e-mbrojtjes-buxheti-eshte-ne-perputhje-me-objektivat/

http://www.spektrum.al/nishani-per-buxhetin-e-mbrojtjes-i-pamjaftueshem/

Pin It