Nishani uron presidentin gjerman në Ditën e Bashkimit të Gjermanisë

nishani

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, uroi homologun e tij gjerman, Joachim Gauck në ditën e Bashkimit të Republikës Federale të Gjermanisë. Në mesazhin e tij Nishani vlerëson marrëdhëniet bashkëpunuese mes dy vendeve dhe uron popullin gjerman për zhvillim të mëtejshëm.

“I nderuar Zoti President,

Kremtimi i 3 tetorit, Ditës së Bashkimit Gjerman, më jep kënaqësinë e veçantë që, në emrin tim dhe të popullit shqiptar, të përcjell urimet më të ngrohta e miqësore për Ju dhe popullin mik gjerman. Në këtë ditë të shënuar për vendin Tuaj konstatoj me kënaqësi se, marrëdhëniet e shkëlqyera dhe të partneritetit mes dy vendeve tona kanë në themel të tyre miqësinë mes dy popujve dhe solidaritetin shumë të veçantë të ofruar ndër vite nga Gjermania për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Përfitoj nga rasti të shpreh mirënjohjen e thellë të shqiptarëve për të gjithë ndihmën e pakursyer e shumëdimensionale që Gjermania ka dhënë për rimëkëmbjen social-ekonomike, konsolidimin e demokracisë dhe ndërtimin e shtetit ligjor të vendit tim, i cili sot, një çerek shekulli pas rënies së komunizmit, është kandidat për në Bashkimin Evropian dhe aspiron hapjen së shpejti të negociatave të aderimit në Union. Ju siguroj se Shqipëria është e vendosur për të vijuar në rrugën e reformave, e bindur se në këtë rrugëtim do të ketë gjithmonë mbështetjen miqësore të Gjermanisë.  Duke ju uruar shëndet e lumturi dhe popullit gjerman zhvillim e përparim të mëtejshëm, ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!”

 

Pin It